Granit Xhaka, është përfshirë në një procedurë penale të nisur nga Prokuroria e Kantonit të Lucernit.
Sipas “Blick”, hetimi lidhet me një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19.
Dyshimet lidhen me pretendimin se një certifikatë mund të jetë lëshuar në emër të Xhakës, pavarësisht se vaksinimi i paraqitur në dokument mund të mos ketë ndodhur. Dokumenti, sipas raportimit, dyshohet se është lëshuar nga një mjeke në Lucern.
Policia kishte kontrolluar ordinancën e mjekes në vitin 2023, duke sekuestruar prova në kuadër të hetimeve për disa persona që dyshohet se kishin marrë certifikata të rreme. Tani autoritetet po shqyrtojnë edhe rastin e futbollistit.
Sipas informacioneve të “Blick”, Xhaka pritet të merret në pyetje në Prokurorinë e Lucernit në fillim të tetorit. Hetimi do të përcaktojë nëse ka pasur shkelje penale lidhur me përfitimin e një dokumenti të rremë dhe/ose falsifikimin e dokumenteve.
Prokuroria e Kantonit të Lucernit ka konfirmuar se procedura janë hapur ndaj Xhakës dhe mjekes. Informacioni i saj për rastin lidhet me verifikimin nëse ka pasur sjellje me pasoja penale në lidhje me dokumentacionin e vaksinimit.
Pas infektimit me koronavirus në shtator të vitit 2021, Xhaka kishte deklaruar më vonë se ishte vaksinuar. Sipas përfaqësuesit të tij, futbollisti ka një vërtetim nga mjekja ku thuhet se është vaksinuar më 25 janar dhe 11 nëntor të vitit 2022.
“Granit Xhaka është në dispozicion të plotë të autoriteteve dhe do të bashkëpunojë me transparencë”, ka deklaruar zëdhënësi i tij, Andreas Bantel. Për shkak se procedura është në zhvillim, Xhaka ka zgjedhur që fillimisht të japë sqarimet para autoriteteve.
Edhe avokati i mjekes, Cornel Borbély, ka mohuar dyshimet, duke deklaruar se klientja e tij thotë se e ka vaksinuar Xhakën dhe se gjithçka është kryer sipas procedurave.
Për Xhakën dhe mjeken vazhdon të vlejë prezumimi i pafajësisë, ndërsa procedurat penale mbeten ende në zhvillim.
/Prive By Liberta Spahiu


