Yll Limani feston sot, më 24 shtator, ditëlindjen e 32 të. Artisti, i lindur më 24 shtator 1994 në Prishtinë, e pret këtë përvjetor vetëm pak orë pasi ishte pjesë e natës së tetë të protestës “Jo në emrin tim” në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkua qytetarëve dhe performoi para të pranishmëve.
Ditëlindja e këtij viti e gjen Yllin në një prej periudhave më të fuqishme të karrierës së tij muzikore.
Prej vitesh ai është kthyer në një prej artistëve më të dëgjuar shqiptarë, me këngë që kanë shënuar etapa të ndryshme të karrierës së tij, nga “Prej se jena nda”, “Pate” dhe “Malet”, te “Alkool”, “U Kry”, “Kaje”, “Malli”, “Merri krejt”, “Jom ka du me t’pa” e shumë të tjera. Në vitet e fundit repertorit të tij i janë shtuar edhe “Larg”, “Era”, “Kthem”, “Dite e natë”, “Ta kom fal” dhe “Pa Ty”.
Një kapitull i veçantë për të ishte albumi “Thirrëm Sot ose Nesër”, i njohur edhe si “TSN”. Projekti me 16 këngë u prezantua nga vetë artisti si një përmbledhje e emocioneve, pritjes, ndarjeve dhe historive të papërfunduara të viteve të fundit. Këngë si “Kthem”, “Po nisna sonte”, “Mjegulla” dhe “Era” vazhduan të qëndrojnë gjatë edhe në klasifikimet muzikore.
Albumi u shndërrua edhe në një projekt të madh live. Në korrik, Ylli solli në Prishtinë koncertin “Thirrëm Sot ose Nesër”, me dy netë radhazi në hapësirën e Prishtina Mall. Nata e parë, më 24 korrik, u shënua e shitur, ndërsa gjatë dy mbrëmjeve mijëra fansa kënduan bashkë me të hitet e tij. Në skenë iu bashkuan edhe emra të njohur si Sinan Vllasaliu dhe Eliza Hoxha.
“TSN” më pas mori përmasa ndërkombëtare, me turne në disa qytete evropiane, ndërsa më 3 tetor Ylli pritet ta çojë spektaklin në ChorusLife Arena në Bergamo, Itali.
Kështu, 32 vjetori e gjen Yll Limanin mes një albumi të suksesshëm, koncerteve të mëdha dhe një repertori që prej vitesh ka prodhuar disa prej baladave dhe hiteve më të dëgjuara nga publiku shqiptar. /Prive By LS


