Pas Tokios, Seulit dhe New York-ut, Elton Ilirjani vijon rrugëtimin e tij ndërkombëtar në modë, këtë herë në London Fashion Week, ku u shfaq në tri prezantime të ndryshme.

Një nga momentet më të veçanta erdhi në shfaqjen e Poet-Lab, të zhvilluar në një hapësirë industriale në East London. Një skenografi urbane, ku arkitektura, teknologjia dhe ritmi i trenave që kalonin mbi skenë u bënë pjesë e atmosferës, krijoi sfondin për dy paraqitjet e Eltonit.
Në fund, ai ishte pikërisht ai që mbylli shfaqjen, i veshur në një krijim spektakolar në ngjyrë argjendi, një dalje që e ktheu momentin final në një nga imazhet më të forta të prezantimit.
Në të njëjtën shfaqje u prezantua edhe Mimoza Ahmeti, këtë herë në rolin e modeles. Prania e saj solli një tjetër element surprizë në një event që qëndroi larg formulës klasike të pasarelës dhe luajti me kufijtë mes modës, performancës dhe hapësirës urbane.

Angazhimi i Elton Ilirjanit në London Fashion Week nuk u ndal aty. Ai pati edhe dy dalje në Global Fashion Collective, duke prezantuar krijime të një stilisti francez dhe të një stilisteje italiane nga Puglia.
Kjo e fundit punon me një qasje artizanale, duke krijuar veshjet e saj tërësisht me dorë, një detaj që i dha prezantimit një tjetër dimension, më intim dhe më të fokusuar te puna e hollë pas çdo siluete.
Nga Azia në New York e tashmë në Londër, Elton Ilirjani po e vazhdon sezonin e tij të modës mes pasarelave ndërkombëtare, duke kaluar nga një estetikë në tjetrën pa humbur atë që tashmë është bërë pjesë e identitetit të tij publik: dëshirën për të qenë aty ku moda kërkon prani, guxim dhe karakter. /Prive By Liberta Spahiu



