Prej vitesh larg ekranit, Donika Berisha është shfaqur këtë herë në një rol krejt tjetër, duke marrë pjesë në një sfilatë mode në Milano.
Ajo ishte pjesë e prezantimit të koleksionit të dizajneres Elfida Artinoff, në një eksperiencë që, siç e përshkruan vetë Donika, ishte e veçantë dhe mbresëlënëse.
Në një prononcim për Prive By LS, Donika ka rrëfyer emocionet e saj nga kjo paraqitje, duke veçuar edhe ambientin ku u zhvillua sfilata.
“Ishte eksperiencë jashtëzakonisht e veçantë dhe mbresëlënëse. Ecja në një pasarelë të realizuar në Palazzo Sorbellini – pallat i historisë neoklasike italiane që nga shekulli i 18-të – ishte sikur një ëndërr!”, ka thënë ajo.
E rrethuar nga historia dhe arti i këtij vendi, Donika tregon se dëshironte ta përjetonte momentin në tërësi.
“E rrethuar me gjithë atë histori e art që të lë pa frymë, nuk doja asgjë tjetër veçse ta përjetoja atë përvojë me krejt qenien”, është shprehur ajo.
Sa i përket bashkëpunimit me Elfida Artinoff, Donika tregon se lidhja e tyre daton prej shumë vitesh. Dizajnerja me bazë në New York është mikeshë e saj dhe, sipas Donikës, prej kohësh e kishte ftuar që të bëhej pjesë e brendit të saj.
Elfida ka prezantuar koleksionet e saj në fashion shows në New York, Paris, Monte Carlo dhe Milano, ndërsa këtë herë planet e dyshes u sinkronizuan për prezantimin në Milano.
“Këtë herë në Milano, na u sinkronizuan planet dhe mora pjesë në sfilatën e saj në Milano”, ka treguar Donika.
Për të, të përfaqësojë këtë brand është një privilegj, veçanërisht për shkak të identitetit që ai përcjell përmes koleksioneve.
“Është privilegj të përfaqësosh një brand që është shumë unik, brand që paraqet figurën e femrës dhe mashkullit të barabartë, në të njëjtën kohë duke i theksuar elementet e fuqishme femërore me ngjyra, dizajn dhe aksesorë ekstravagantë”, ka deklaruar ajo.

Edhe pse paraqitja në pasarelën e Milanos ishte një eksperiencë e re, Donika nuk është krejtësisht e panjohur me botën e modës.
Ajo tregon se edhe më herët ka qenë pjesë e kampanjave, kryesisht si fotomodele, ndërsa kjo paraqitje në Milano i dha mundësinë të përjetojë një tjetër dimension të kësaj fushe.
“Puna kreative, sidomos e kësaj natyre, më jep shumë energji dhe më plotëson shumë në aspektin personal dhe profesional”, ka thënë Donika.
Dhe duket se kjo nuk do të jetë një paraqitje e vetme. Donika lë të hapur mundësinë që ta shohim sërish në projekte të ngjashme, duke e konsideruar këtë një anë të saj që mund të rikthehet në të ardhmen.
“Definitivisht është një anë e imja që mund ta shihni dhe do ta shihni prapë në të ardhmen!”, ka përfunduar ajo në prononcimin për Prive By LS.



