Emri i Aurela Gaçes është përmendur në aludimet e fundit që kanë qarkulluar në rrjet lidhur me videot intime, ndaj këngëtarja ka reaguar publikisht për të mohuar çdo lidhje me to.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Aurela i ka cilësuar këto aludime si të pabazuara dhe ka bërë të qartë se nuk është pjesë e asnjë videoje të natyrës për të cilën po flitet.
“Ditët e fundit po shoh emrin tim të përfshihet në lajme e aludime të pabazuara. Përballë shpifjeve që cenojnë dinjitetin tim, nuk mund të hesht”, ka shkruar ajo.
Këngëtarja ka sqaruar se bashkëpunimet e saj muzikore me autorë të industrisë janë marrëdhënie profesionale dhe, sipas saj, ato nuk mund të përdoren për të sajuar histori rreth jetës së saj private.
“Bashkëpunimet e mia muzikore me autorë të kësaj industrie janë marrëdhënie profesionale. Ato nuk i japin askujt të drejtën të sajojë histori për jetën time apo ta përdorë emrin tim për të nxitur thashetheme”, është shprehur Gaçe.
Më tej, ajo ka mohuar në mënyrë të drejtpërdrejtë të jetë pjesë e materialeve për të cilat po aludohet.
“Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet. Çdo pretendim që më lidh me të tilla përmbajtje është i pavërtetë”, ka deklaruar këngëtarja.
Aurela ka theksuar se e konsideron shumë të rëndësishëm dinjitetin e saj, duke kujtuar edhe rolin e saj në familje.
“Jam bijë, nënë dhe bashkëshorte. Dinjiteti i askujt nuk duhet të bëhet objekt përbaltjeje apo argëtimi publik”, ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, këngëtarja ka bërë të ditur se nuk do të tolerojë përdorimin e emrit të saj në histori që i quan të sajuara dhe ka paralajmëruar edhe ndjekje ligjore.
“Nuk do të toleroj përdorimin e emrit tim në histori të sajuara. Për çdo shpifje që cenon emrin dhe dinjitetin tim, do të ndërmarr hapat e nevojshëm ligjorë”, ka shkruar Gaçe.
Në fund, ajo ka shprehur mbështetjen për çdo vajzë dhe grua që përballet me shpifje, poshtërim apo cenim të privatësisë, duke theksuar: “Liria e fjalës nuk është liri për të shpifur”.
/Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


