Këngëtarja e njohur, Rina Balaj, ka reaguar sërish lidhur me cilësinë e ushqimit në restorantet e Prishtinës, kësaj radhe duke iu përgjigjur një ndjekësi që e kritikoi për komentet e saj dhe e provokoi për prejardhjen nga Istogu.
Gjithçka nisi pas ankesave të saj të fundit për cilësinë e ushqimit dhe çmimet në gastronominë e kryeqytetit, të cilat u bënë temë diskutimi në rrjetet sociale.
Përmes një videoje të publikuar së fundmi, Rina iu përgjigj drejtpërdrejt komentuesit , i cili e kritikoi për qëndrimin e saj, duke i përmendur edhe prejardhjen.
“Rina, dje prej Istogut e sot po na del kritike ndërkombëtare e gastronomisë. S’është problemi te ushqimi i Prishtinës, po te mendjemadhësia jote. Mos e ngatërro famën në TikTok”, shkruante ai.
Artistja nuk hezitoi t’i përgjigjej, duke theksuar se vazhdon të jetë krenare për prejardhjen e saj dhe se kritikat e saj nuk kanë të bëjnë me vendin nga vjen, por me cilësinë e ushqimit që ofrohet në restorante.
Ajo shpjegoi se Kosova ka toka pjellore që mund të shfrytëzohen për kultivimin e perimeve dhe frutave, në vend që shumë prej tyre të importohen nga shtetet e tjera.
Sipas saj, potenciali për prodhim vendor është i madh, por një pjesë e tokave po shfrytëzohen për ndërtime, në vend që të investohet në bujqësi dhe prodhim.
Rina sqaroi gjithashtu se nuk ka thënë se në restorantet e Prishtinës nuk mund të hahet mirë, por se shqetësimi i saj lidhet me cilësinë e ushqimit. Ajo theksoi se njeh kuzhinierë të mirë dhe se vetë ka pasion për kuzhinën, duke u shprehur se është adhuruese e ushqimit cilësor.
Për ta ilustruar këtë, këngëtarja përmendi edhe çmimet e larta në restorante, duke marrë si shembull një pjatë mishi që kushton 30 euro, por që, sipas saj, nuk ofron një eksperiencë që e justifikon atë çmim.
Ajo kritikoi faktin që konsumatorët paguajnë shuma të konsiderueshme, ndërsa cilësia nuk është në nivelin që do të pritej.
Në fund të reagimit, Rina kundërshtoi edhe mënyrën se si komentuesi e përdori prejardhjen e saj për ta zhvlerësuar mendimin e saj, duke ngritur pyetjen nëse përmendja e Istogut nënkuptonte se ajo konsiderohej më pak e qytetëruar.
Me këtë përgjigje, artistja bëri të qartë se kritika e saj kishte të bënte me raportin mes çmimeve dhe cilësisë së ushqimit në kryeqytet, e jo me prejardhjen e saj apo me ndonjë pretendim për t’u dukur më e rëndësishme se të tjerët. /Prive By LS
@rinabala99Replying to @Vigan Nuhiu


