Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Juliana Nura, e njohur si Xhuli, ka nisur t’i rikthehet rutinës së saj të mëparshme, vetëm gjashtë javë pasi u bë nënë e binjakëve.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Xhuli ka treguar se i është rikthyer fitnesit, këtë herë e shoqëruar edhe nga dy foshnjat e saj, duke ndërthurur kështu përkujdesjen për fëmijët me kohën për veten.
Krahas pamjeve gjatë ushtrimeve, ajo ka ndarë edhe një mesazh të gjatë, ku ka folur për ndryshimet që ka përjetuar pas ardhjes në jetë të binjakëve dhe sfidat e mëmësisë.
“Të bërit nënë e binjakëve më ka ndryshuar në mënyra që nuk do t’i kisha imagjinuar kurrë. Ka vënë në provë forcën time, durimin, emocionet dhe madje mënyrën se si e shoh jetën”, ka shkruar ajo.
Xhuli ka pranuar se jo çdo ditë është e lehtë, duke treguar se ka momente kur ndihet e pandalshme, por edhe ditë kur vetëm përballimi i përditshmërisë është një arritje më vete.
Ajo ka theksuar se po përpiqet të gjejë sërish kohë për veten, jo për t’u dëshmuar diçka të tjerëve, por për t’u ndier e fortë, e sigurt, e lumtur dhe e përmbushur.
“Kjo është periudha ime e rindërtimit, rritjes, shërimit dhe forcimit”, ka shkruar ndër të tjera Xhuli, duke e cilësuar këtë fazë si një kapitull të ri të jetës së saj.
/Prive By LS
View this post on Instagram


