Përplasja virtuale mes Drilon Ramës dhe Amarildo Bakajt ka marrë një tjetër kthesë, pasi dy boksierët kanë shkëmbyer sërish deklarata të ashpra në rrjetet sociale. Këtë herë, Driloni ka publikuar natën e mbrëmshme një video-mesazh ku e sfidon hapur Amarildon për një përballje në ring.
Konflikti mes tyre ka nisur muaj më parë, me zanafillë në deklaratat që u zhvilluan gjatë kohës kur Drilon Rama ishte pjesë e “Big Brother VIP Kosova”. Tani përballja mes tyre është shoqëruar me deklarata publike dhe sfida të ndërsjella, duke e mbajtur të hapur mundësinë e një përballjeje mes dy boksierëve.
Në reagimin e tij të fundit, Drilon Rama përdori gjuhë të ashpër ndaj Amarildo Bakajt, duke vënë në pikëpyetje edhe integritetin e tij sportiv.
“Më i madhi fake boksier i kësaj bote je ti, Amarildo Bakaj. Krejt meçet i ke të blera. Ty nuk të vjen marre me u rre me mua, ti je fake boksier, ti e prish boksin”, u shpreh Driloni në videon e publikuar.
View this post on Instagram
Përmes këtij mesazhi, Rama e riktheu në qendër të vëmendjes kërkesën e bërë në Prive By LS për t’u përballur me Bakajn në ring, duke e bërë të qartë se dëshiron që debati mes tyre të marrë një përgjigje përmes një meçi.
Nga ana tjetër, Amarildo Bakaj i është përgjigjur përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, duke kundërshtuar deklaratat e Drilonit. Ai pretendon se Rama po e përdor emrin e tij për të tërhequr vëmendje mediatike, ndërsa ka vënë në kontrast përkushtimin e tij ndaj boksit me pjesëmarrjen e kundërshtarit në formate televizive.
Bakaj u shpreh se nuk pranon të degenerojë në emisione apo të bëjë famë si boksier i Big Brother, duke shkruar: “Jam malësor unë, e jo gjak serbi a turku si ti, që mundohesh të bësh famë në emrin tim… Ti gjithë jetën tënde do të quhesh boksieri i Big Brother-it”. Ai vazhdoi tutje duke thumbuar kushtet e tij financiare dhe personale: “Çohesh e flet ti, që s’ke lekë për të paguar trajnerin dhe ta paguan babai. Ty të mban familja, kurse unë e mbaj familjen time”.
Bakaj ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij, duke theksuar se ka pasur mbështetjen e publikut dhe të tifozëve shqiptarë. Ai gjithashtu ka folur për negociatat që lidhen me organizimin e një përballjeje, duke përmendur kushtet financiare dhe kontratën e mundshme.
Sipas deklarimeve të tij, Bakaj është i gatshëm të nënshkruajë kontratën për meçin nëse plotësohen kushtet financiare që ai kërkon. Në këtë mënyrë, boksieri ka lënë të kuptohet se realizimi i përballjes varet edhe nga arritja e një marrëveshjeje mes palëve.
Pavarësisht deklaratave të ashpra dhe sfidave të përsëritura, deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht një datë për përballjen mes Drilon Ramës dhe Amarildo Bakajt.
Kështu, rivaliteti që mori hov muaj më parë, vazhdon të jetë aktiv në rrjetet sociale, ndërsa mbetet të shihet nëse dy boksierët do t’i konkretizojnë sfidat e tyre me një përballje të vërtetë në ring.
/Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


