Pasqyra është një nga elementet më të zakonshme të arredimit të shtëpisë, por sipas një besimi të lashtë, vendi ku e mbajmë mund të ketë një domethënie të veçantë. Madje, një pozicion i caktuar besohet se mund të ndikojë në fatin dhe begatinë e familjes.
Sipas traditës kineze Feng Shui, e cila merret me harmonizimin e hapësirave të banimit, vendosja e pasqyrës drejtpërdrejt përballë derës kryesore të shtëpisë konsiderohet e pafavorshme.
Siç shpjegon një artikull i publikuar së fundmi nga Times of India, dera kryesore shihet si pika përmes së cilës hyjnë energjia pozitive, mundësitë e reja dhe begatia.
Por, kur përballë saj ndodhet një pasqyrë, sipas këtij besimi, energjia që hyn reflektohet dhe kthehet menjëherë jashtë.
Pikërisht për këtë arsye, disa praktikues të Feng Shui besojnë se një pasqyrë në këtë pozicion mund të simbolizojë largimin e parave nga shtëpia, shpenzimet e vazhdueshme dhe mundësitë që shfaqen, por nuk zgjasin.
Megjithatë, jo të gjithë praktikuesit e kësaj tradite pajtohen me këtë interpretim.
Sipas këshillave të Feng Shui, pasqyra mund të vendoset në një mur anësor pranë hyrjes, ndërsa vendosja e saj në dhomën e ngrënies, në mënyrë që të reflektojë tavolinën, konsiderohet simbol i bollëkut dhe begatisë.
Një tjetër vend që këshillohet të shmanget është ai përballë shtratit, pasi në këtë traditë besohet se pasqyra mund të ndikojë negativisht në qetësinë dhe harmoninë e çiftit.
Natyrisht, këto interpretime mbeten pjesë e besimeve tradicionale dhe nuk ka prova shkencore se pozicioni i pasqyrës mund të ndikojë në gjendjen financiare apo fatin e një familjeje.
Megjithatë, bestytni të tilla vazhdojnë të jenë të pranishme në kultura të ndryshme, përfshirë edhe shumë familje shqiptare, ku këshillat për vendosjen e sendeve në shtëpi shpesh përcillen nga një brez te tjetri.
Po ju, a e keni pasqyrën përballë derës kryesore të shtëpisë? /Prive Bruto



