Një ditë pas përvjetorit të parë të ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, Rezarta Shkurta ka publikuar një video emocionuese, të realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, në të cilën është rikrijuar një takim mes artistit të ndjerë dhe djalit të tij, Roelit.
Përmes një skenari imagjinar, videoja paraqet Roelin, i cili pasi bie në gjumë, takohet në ëndërr me të atin, e përqafon dhe i tregon se sa shumë është rritur gjatë kësaj kohe.
“Babi, shiko, jam rritur dhe flas shumë. Kur zgjohem, fjalët më ikin”, dëgjohet të thotë Roeli në videon e krijuar përmes inteligjencës artificiale.
Në dialogun e imagjinuar, Shpati i shpreh të birit krenarinë për të, ndërsa i kërkon që t’i përcjellë edhe një mesazh nënës së tij, Selvijes, që të mos trishtohet, duke i thënë se i bekon çdo ditë nga lart.
Videoja është publikuar në Instagram nga Rezarta Shkurta në bashkëpunim me Selvije Jaon, ndërsa përmes përshkrimit të saj, Rezarta ka zbuluar se ky realizim ishte një fjalë e dhënë dikur Shpatit.
“E mbajta fjalën, Shpat, e realizuam kujtimin për Roelin”, ka shkruar ajo.
Në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, nuk kanë munguar dedikimet nga familjarët dhe personazhet e njohura të skenës shqiptare, ndërsa familja Kasapi ka njoftuar edhe organizimin e një mbrëmjeje përkujtimore më 29 nëntor.
E këtë herë, përmes realizimit të Rezartës, takimi i imagjinuar mes babait dhe të birit është kthyer në një kujtim simbolik, të dedikuar Roelit. /Prive By LS
View this post on Instagram


