Një debat i ashpër në studion e emisionit “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini duket se nuk ka përfunduar me fikjen e kamerave mbrëmjen e së dielës, më 11 tetor.
Në qendër të zhvillimeve janë ish-futbollisti Liridon Leci, panelist i rregullt i emisionit, dhe ish-futbollistja Edonisa Aliu, e ftuar në studio.

Gjatë transmetimit, diskutimi mes tyre u tensionua dhe kaloi në replika personale. Shprehje si “Ti ki ekip të mirë, po s’ki rezultate” dhe “S’je kërkushi me më gjyku mua” shënuan përplasjen verbale mes dy protagonistëve.
Por ajo që ndodhi pas përfundimit të emisionit ka sjellë një vendim të menjëhershëm nga drejtuesit e televizionit.
Drejtori i Informacionit në RTV Dukagjini, Dibran Istrefi, ka konfirmuar se pas transmetimit ka ndodhur një incident mes Lecit dhe Aliut.
Sipas tij, pas shqyrtimit të rrethanave, televizioni ka vendosur të ndërpresë menjëherë bashkëpunimin me Liridon Lecin.
Ndërkohë, burime jozyrtare flasin për një përshkallëzim të mundshëm fizik ndaj ish-futbollistes Aliu kurse televizioni nuk ka dhënë hollësi mbi natyrën e incidentit.
Në reagimin e tij, Istrefi i ka cilësuar situata të tilla të papranueshme për televizionin dhe emisionin.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se me rastin po merren organet e rendit dhe të drejtësisë, të cilat pritet të sqarojnë rrethanat e ngjarjes.
Mbetet të shihet çfarë ka ndodhur konkretisht pas përfundimit të transmetimit dhe nëse do të ketë reagime të tjera nga personat e përfshirë. /Prive By LS


