Lajmi për vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës — e cila u humbi jetën pak orë pasi kishte denoncuar dhunën në polici — ka nxitur reagime të shumta dhe debat të ashpër publik në rrjetet sociale.
Ndërkohë që opinionet dhe presionet ndaj personazheve të njohura publike janë rritur për të mbajtur qëndrim, Rina Balaj ka reaguar publikisht me një mesazh të prerë ndaj reagimeve dhe fyerjeve të marra dita-ditës.
Përmes një postimi në Instagram, Rina i ka drejtuar një përgjigje të drejtpërdrejtë përdoruesve të platformave si X (Twitter) dhe TikTok, duke shprehur frustrimin ndaj asaj që ajo e quajti hipokrizi dhe gjykim online.
Këngëtarja ironizoi presionin dyfishtë të rrjetit, duke shkruar se sa herë që personazhet publike flasin apo heshtin për një kauzë, gjithmonë përballen me akuza dhe fyerje.
Në mesazhin e saj, Rina vuri në dukje se të kesh influencë publike nuk do të thotë t’i japësh llogari opinionit për çdo gjë që ndodh apo për çdo njeri që njeh. Ajo theksoi se mbrojtja e të drejtave të grave dhe pikëllimi për një viktimë nuk mund të maten thjesht me postimin e një “story” në Instagram, dhe se nuk ka nevojë t’i dëshmojë askujt nivelin e saj të dhembshurisë apo qëndrimin kundër dhunës.
Pjesë qendrore e reagimit të saj ishte gjithashtu një kritikë e fortë ndaj atyre që i quajti “feministet” e rrjeteve sociale (“feministet e X-it e Tiktokut”). Rina akuzoi një pjesë të përdoruesve se përdorin tragjeditë personale të të tjerëve thjesht për të shfryrë frustrimet vetjake ndaj njerëzve që nuk i pëlqejnë. Ajo ngriti pyetjen se si mund të pretendohet mbrojtja e grave kur në të njëjtën kohë fyejnë, shpifin dhe sulmojnë gra të tjera në platformat digjitale.
Në përmbyllje të reagimit, këngëtarja bëri thirrje të qartë për të mos ngatërruar lirinë e fjalës me lirinë për të shpifur, duke paralajmëruar se secili duhet të mbajë përgjegjësi ligjore e morale për shpifjet e veta. Ajo porositi të gjithë ata që veprojnë si “gjykata prej TikTok-ut” që t’i japin fund linçimit publik dhe hipokrizisë në emër të moralit. /Prive By Liberta Spahiu