Ngjarja tragjike e vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë ka prekur thellë opinionin publik, duke nxitur reagime të shumta edhe nga figura të njohura të artit.
Këngëtari Kushtrim Kelani ka njoftuar publikisht shtyrjen e projektit të tij më të ri muzikor të titulluar “Sa e bukur”, i cili ishte planifikuar të publikohej nesër, në shenjë respekti dhe ndjeshmërie ndaj kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Ju njoftoj se projekti i ri ‘Sa e bukur’ do të shtyhet dhe nuk do të publikohet nesër ashtu siç ishte planifikuar, për shkak të ndjeshmërisë së ngjarjes tragjike që ndodhi dje në Pejë. Por sot, ajo që nuk duhet të shtyhet është drejtësia. Asnjë grua e asnjë qytetar i këtij vendi nuk duhet ta paguajë me jetë kërkesën për mbrojtje.”“Si fillim, thirrje për secilin prej nesh se familja është shenjtëria ku duhet të lindë dashuria, jo frika. Aty ku duhet të gjejmë mbrojtjen, jo dhunën. E së dyti, thirrje që drejtësia të funksionojë, institucionet të përgjigjen e kërkesat për mbrojtje asnjëherë të mos përfundojnë në tragjedi. Ngushëllime familjes. Drejtësi për viktimën.”


