Zhvillime të reja në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila prej kohësh kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, por u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, do të iniciojë procedurë disiplinore dhe do të rekomandojë suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokurores koordinatore për dhunën në familje, Arlinda Nallbani Gacaferi.
Raportohet se rekomandimi do të paraqitet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të cilën Gashi e ka thirrur për sot, në orën 13:00.
Sipas Sinjalit, këto masa vijnë pas gjetjeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprimet dhe mosveprimet e dyshuara institucionale, të cilat mund të kenë ndikuar në mosparandalimin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Kujtojmë se Arlinda kishte denoncuar vazhdimisht dhunën dhe kërcënimet, ndërsa më 22 tetor i ishte drejtuar me një shkresë edhe kryeprokurores Vuçetaj, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe përgjegjësi për zyrtarët që, sipas saj, kishin dështuar ta mbronin.
Ajo kishte në fuqi edhe një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor, ndërsa vetëm dy ditë para vrasjes, një zyrtar policor kishte kërkuar mbikëqyrje të shtuar për sigurinë e saj.
Mbrëmjen e 25 tetorit, Arlinda u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët, e shoqëruar nga Policia e Kosovës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj.
Pas ngjarjes, Kryeprokurori i Shtetit kishte kërkuar një raport të detajuar për mënyrën se si ishte trajtuar rasti, ndërsa tri lëndë penale të lidhura me Arlindën u transferuan nga Prokuroria Themelore në Pejë në atë të Prishtinës.
Rekomandimi i paralajmëruar për suspendim shënon një zhvillim të rëndësishëm në shqyrtimin e përgjegjësive të mundshme institucionale.
Megjithatë, vendimi për suspendimin e dy prokuroreve ende nuk është marrë.
/Prive Bruto


