Këngëtari i njohur 21-vjeçar, D4vd (David Anthony Burke), është arrestuar zyrtarisht nga policia e Los Anxhelosit në lidhje me vdekjen tragjike të adoleshentes Celeste Rivas Hernandez.
Artisti po mbahet aktualisht në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht, pas një hetimi intensiv disamujor që nisi me zbulimin makabër të mbetjeve të 14-vjeçares brenda bagazhit të makinës së tij Tesla në shtator të vitit të kaluar.
Automjeti ishte raportuar si i braktisur në Hollywood Hills për rreth një muaj, përpara se era e rëndë të alarmonte fqinjët dhe të çonte policinë në gjetjen e trupit, pikërisht një ditë pas ditëlindjes së 15-të të viktimës.
Hetuesit kanë vënë re një detaj që ka nxitur spekulime të shumta në rrjet: viktima kishte një tatuazh “Shhh” në gishtin tregues, identik me atë që mban edhe vetë këngëtari, dekaurim ky që shton dyshimet për një lidhje të mundshme mes tyre, megjithëse autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht natyrën e raportit të tyre.
Policia ka sekuestruar pajisje elektronike dhe prova të tjera nga një shtëpi me qira ku artisti po qëndronte, ndërsa burime brenda LAPD-së bëjnë me dije se Burke nuk ka qenë bashkëpunues gjatë procesit hetimor.
Dyshimet e forta rëndojnë mbi të edhe për faktin se prokuroria beson që autori mund të ketë pasur ndihmë për gjymtimin dhe fshehjen e trupit të vajzës, e cila ishte raportuar e zhdukur disa herë gjatë vitit 2024.
Në anën tjetër, ekipi ligjor i D4vd ka lëshuar një deklaratë të prerë duke insistuar se provat do të vërtetojnë pafajësinë e tij dhe se ai nuk është përgjegjës për vdekjen e Celeste Rivas Hernandez. Ata theksojnë se deri më tani nuk ka një padi zyrtare të ngritur nga juria e madhe, por vetëm një ndalim nën dyshim.
E gjithë vëmendja është përqendruar te dita e hënë, kur çështja do t’i paraqitet zyrtarisht Prokurorisë së Rrethit për të përcaktuar akuzat përfundimtare, ndërkohë që shkaku i saktë i vdekjes së adoleshentes mbetet ende nën hetim të rreptë. /Prive By Liberta Spahiu


