Zhurma dhe aludimet e rrjetit për një krisje në martesën e Armir Shahinit, pas daljes së tij nga shtëpia e “BBVA 5”? Epo, duket se paskan qenë thjesht… zhurmë!
Miri i West Side Family dhe bashkëshortja e tij, Rabea, zgjodhën një mënyrë mjaft të qetë dhe të ëmbël për të treguar se si qëndron e vërteta. Rabea ka udhëtuar drejt Shqipërisë këtë fundjavë për të qëndruar pranë artistit, duke dëshmuar se marrëdhënia e tyre mbetet e qëndrueshme pavarësisht dinamikave që krijohen në televizion.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, ajo ka ndarë një selfie krah Mirit, ku të dy shfaqen të qeshur dhe mjaft të relaksuar. “Ju përshëndesim” – ka shkruar Rabea mbi foto, duke e shoqëruar me një emoji zemre. Por detaji që theu heshtjen në mënyrën më domethënëse ishte kënga e zgjedhur në prapavijë: hiti i njohur i West Side Family, “Në krahët e tua do jem”. Një tregues i thjeshtë, por i qartë, i harmonisë në çift.
Kjo fundjavë bashkë vjen pak ditë pasi Miri u detyrua të sqaronte “ftohtësinë” e perceptuar nga publiku gjatë dhe pas finales së spektaklit. Artisti e bëri të qartë se mungesa e bashkëshortes nuk kishte të bënte absolutisht me ndonjë hatërmbetje. Siç e tha vetë Miri fare troç: “Në Gjermani punohet!”. Rabea nuk mund t’i qëndronte në krah në çdo moment, thjesht sepse ka profesionin dhe angazhimet e saj të përditshme.
Tashmë që ajo gjeti kohën për të ardhur në Tiranë, dyshja duket se e ka lënë pas gjithë presionin e formatit. /Prive By Liberta Spahiu



