Këngëtari i njohur kosovar, Capital T, ditë më parë reagoi në mbështetje të protestave në Shqipëri, duke u bërë thirrje mediave në Kosovë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje zhvillimeve dhe zërit të qytetarëve që po protestojnë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti theksoi rëndësinë e gazetarisë së pavarur dhe raportimit pa censurë, duke nënvizuar se mediat kanë përgjegjësi të informojnë publikun për çështjet me interes të përgjithshëm.
Megjithatë, pas këtij reagimi, në media është publikuar një audio-incizim i një telefonate mes Capital T dhe një personi të identifikuar si oficer i Policisë së Tiranës.
Sipas Dosja.al, e cila thotë se ka siguruar audio-incizimin, oficeri Niko Kurti e ka telefonuar artistin, duke e pyetur se ku ndodhej dhe kur planifikonte të kthehej në Tiranë.
Gjatë bisedës, Capital T, emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi, i ka treguar se ndodhej në Amerikë dhe se nuk kishte një datë të caktuar për kthimin e tij.
Në një moment të telefonatës, oficeri i kërkon reperit të mos e mbyllë telefonin, ndërsa më pas e pyet për identitetin e tij, duke iu drejtuar me emrin: “Trim Ademi je?”.
Sipas materialit të publikuar nga Dosja.al, oficeri i thotë reperit se dëshiron ta pyesë për një rrethanë të caktuar, por se kjo bisedë duhet të zhvillohet personalisht dhe jo përmes telefonit.
Në fund të telefonatës, ai i kërkon Capital T-së që, pasi të kthehet nga Amerika, ta telefonojë në numrin nga i cili po e kontaktonte dhe të paraqitet në vendin e tij të punës për të biseduar nga afër.
Telefonata vjen pas reagimit publik të reperit për protestat në Shqipëri. Megjithatë, nga përmbajtja e bërë publike nuk mund të përcaktohet në mënyrë të pavarur nëse telefonata lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin e tij ndaj protestave. /Prive By LS
View this post on Instagram


