Këngëtari Gjesti ka vendosur të thyejë heshtjen me një deklaratë të gjatë dhe të drejtpërdrejtë në Instagram, duke dhënë versionin e tij të ngjarjeve pas përplasjes me kompaninë “Onima” dhe lirimit të tij nga paraburgimi.
Në reagimin e tij të parë publik, ai e pranon se kjo periudhë nuk ka qenë aspak e lehtë, duke u shprehur i gatshëm të përballet me pasojat. Ai e nis me një kërkim falje të hapur ndaj stafit të kompanisë për shqetësimin e shkaktuar, duke treguar pendesë të thellë për gabimin e tij. Megjithatë, artisti nxiton të sqarojë se ai nuk është një natyrë problematike, duke cituar hapur se “veç një torturë e madhe që nuk u ndal kurrë ka mundur të më sjellë në atë gjendje”, çka nënkupton një presion të padurueshëm psikologjik nga ana e menaxhmentit.
Beteja sapo ka filluar dhe me sa duket do të zhvendoset nga zyrat në sallat e gjyqeve ndërkombëtare. Gjesti ka konfirmuar se, në bashkëpunim me labelin e tij të ri, menaxhmentin dhe avokatët në Britani, ka nisur zyrtarisht procedurat ligjore kundër “Onima”.
Përmes kësaj deklarate, ai thekson se akuzat përfshijnë keqtrajtime të vazhdueshme ndër vite, borxhe të vjetra dhe aktuale të pashlyera, si dhe dëme të mëdha nga mundësitë e humbura në karrierë. Këngëtari e thellon misterin kur shprehet se “ka shumë gjëra që ende nuk i dini, por që do t’i kuptoni shumë shpejt”, duke paralajmëruar një seri zbulimesh të reja në ditët në vijim.
Për të gjithë ata që menduan se ky skandal do t’i mbante peng projektet e tij, Gjesti ka një përgjigje të prerë dhe të ashpër.
Ai deklaron me bindje se muzikën nuk mund t’ia ndalë askush, dhe lëshon një akuzë të rëndë kur shton “sidomos jo njerëzit dhe kompanitë që kanë për qëllim t’i shkatërrojnë artistët dhe ta njollosin industrinë e muzikës”.
Për të mos i lënë fansat thatë gjatë kësaj kohe të vështirë, ai premton se, edhe nëse i duhet të përballet me rregullat e tregut gjatë gjyqit, do t’i postojë këngët e reja direkt dhe vetëm në TikTok e Instagram. Përballja e vërtetë, sipas tij, tani është në duart e drejtësisë. /Prive By Liberta Spahiu



