Harrojeni familjen mbretërore, futbollin apo ushqimet tradicionale si “fish and chips”.
Shumë njerëz mbrojnë idenë se muzika është një nga arsyet më të mëdha pse turistët ndërkombëtarë vizitojnë Mbretërinë e Bashkuar. Sipas një raporti të publikuar së fundmi, ky supozim duket se është plotësisht i saktë.
Të dhënat e publikuara nga “UK Music” kanë zbuluar se koncertet dhe shfaqjet e organizuara nga artistë dhe grupe tejet të njohura si Dua Lipa, Oasis, Beyoncé, Coldplay, Lana Del Rey dhe Kendrick Lamar, kanë ndihmuar në tërheqjen e një numri rekord prej 24.7 milionë turistësh muzikorë në Britani gjatë vitit 2025.
Kjo shifër shënon një rritje prej 4.8% krahasuar me 23.5 milionë turistë që vizituan vendin për të njëjtën arsye në vitin 2024.
Ky sukses i jashtëzakonshëm është ripublikuar me krenari edhe nga babai i yllit shqiptar, Dukagjin Lipa, në rrjetet e tij sociale, duke vënë në pah peshën e madhe që Dua Lipa ka në industrinë globale të muzikës dhe turizmit.
/Prive By Liberta Spahiu



