Me 13 këngë të ndara mes 7 solo dhe 6 bashkëpunimeve, albumi i Taynës vjen i balancuar mes thelbit të saj dhe asaj që ajo eksploron përtej vetes.
Në njërën anë qëndrojnë këngët solo si: “Nostalgjia”, “Vena”, “Della”, “Muza”, “Solo”, “Kur perëndon” dhe “Vajza e dimrit”. Këto janë momentet ku Tayna është e zhveshur artistikisht, pa filtra. Aty ku çdo varg mban peshë personale dhe çdo beat i shërben zërit të saj. Janë këngë që vëmendjen e marrin natyrshëm.
Në anën tjetër, bashkëpunimet me artistë si Gerto, Sahati, Mossi, Elai, Lluni dhe Rinesance i japin albumit një frymë më të gjallë dhe eksperimentale. Janë 6 këngë që sjellin ritëm, energji dhe një lloj dialogu mes stileve, duke e hapur universin e saj drejt një audience më të gjerë.
Dy këngët që tashmë po tregojnë shpirtin e “Genesis” janë “Muza” dhe “Vena”, të cilat funksionojnë si dy pole të kundërta të së njëjtës histori. Për më pak se 24 orë nga publikimi, të dyja pushtuan toplistat në Evropë e gjerë. Te Tayna, “Muza” është një shpërthim i akumuluar prej vitesh, një deklaratë si përgjigje për gjithçka është thënë për të.
Që në hyrje, atmosfera është e errët, gati kërcënuese dhe kalon në ndjesinë “po vij, edhe pse s’më keni parë kurrë kështu”. Sapo hyn refreni, ajo e bën të qartë pozicionin: nuk po konkurron më me askënd, sepse thjesht nuk i sheh në të njëjtin nivel. Kjo nuk është vetëm arrogancë, por distancë e fituar me vite.
Në strofën e parë, ajo shkon drejt e në thelb: hipokrizia, xhelozia dhe njerëzit që përpiqen t’ia zënë vendin. Linja “Kush ju bani shpi e who the fuck ju bani famë?” është kujtesë e fortë për ndikimin e saj në skenë. Ka një zhgënjim të fshehur aty për njerëz që dikur ishin afër; toni është i ashpër, i drejtpërdrejtë, pa filtër. Refreni rikthehet si një lloj mantra me një bindje që ajo e përsërit: flasin, por nuk prekin dot. Kjo e bën këngën të kapshme, sepse mes gjithë agresivitetit ka një vetëbesim të kristaltë.
Në strofën e dytë, ajo e çon narrativën më lart. “Prej muzës jam kthy n’makth” është ndoshta linja më e fortë e këngës, që flet për transformimin nga inspirimi në frikë. Ajo e pranon që është kopjuar, por përgjigjja e saj është evolucioni: ndryshon stil dhe ecën me kohën. Referenca “Karma is a witch, lirisht thirrëm Nikita” i jep dimension tjetër, sikur drejtësia vjen vetë, pa pasur nevojë të luftojë drejtpërdrejt me askënd.
Mbyllja është ndoshta pjesa më personale. Aty nuk ka më beat apo ritëm, por ka zëra dhe thashetheme që i kemi dëgjuar shpesh: “Veç edhe një këngë edhe bie”. Përgjigjja e saj është e ftohtë dhe e prerë: “It’s been nine fucking years, bitches.” Kjo nuk është vetëm mburrje, është dëshmi e qëndrueshmërisë për 9 vite radhazi në skenë. Dhe në fund të fundit, “Genesis” nuk është thjesht një sukses i radhës në karrierën e saj, por zanafilla e një epoke të re ku ajo sërish i dikton vetë rregullat e lojës.
/Prive By Liberta Spahiu


