Pas publikimit të një videoje në rrjetin social TikTok, ku përdoruesi i njohur si “Fabio Caldini” përdori gjuhë të rëndë, fyerje dhe akuza ndaj ish-deputetit Gani Geci lidhur me ish-krerët e UÇK-së, ka ardhur reagimi publik i vetë Gecit.
Përmes një postimi, Geci bëri të ditur se është takuar me vëllanë e TikTokerit për të sqaruar situatën e krijuar.
Sipas postimit të Gani Gecit, ai ka zhvilluar një takim me Jetmir Cakiqin, vëllanë e TikTokerit “Fabio Caldini”, emri i vërtetë i të cilit është Fatmir Cakiqi.
Geci deklaroi se Jetmiri, në emër të familjes Cakiqi, i ka kërkuar falje dhe ka sqaruar se familja e tyre në Kosovë nuk ka kontakt me Fatmirin prej një kohe të gjatë, pasi ai jeton në Zvicër dhe nuk ka qenë në Kosovë që prej 6 vitesh. Ai shtoi se Jetmiri ka publikuar edhe foton e takimit ku ka kërkuar falje publike.
Megjithatë, sa i përket vetë Fatmir Cakiqit, Gani Geci bëri të ditur se e ka lajmëruar Policinë për kërcënim direkt. Ai u shpreh se beson që Policia dhe Prokuroria do ta kryejnë detyrën e tyre, ndërsa hodhi akuza ndaj TikTokerit.
Ai përfundoi se do të vazhdojë të kryejë detyrën e tij duke mbrojtur nderin e vet, familjen dhe Kosovën. /Prive By Liberta Spahiu