Aktorja e njohur turke, Gülsen Tuncer, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Tuncer, e cila gjatë karrierës së saj të gjatë u angazhua edhe si artiste e dublimit, tekstshkruese, kompozitore, drejtuese artistike dhe akademike, po trajtohej për kancer.
Vetëm pak ditë para vdekjes, ajo kishte marrë diagnozën për kancer në tru, në stadin e katërt. Lajmin për ndarjen e saj nga jeta e bëri të ditur Shoqata e Grave e Republikës së Turqisë (CKD).
Në njoftimin e saj, shoqata shprehu dhimbjen për humbjen e artistes, duke e cilësuar atë një intelektuale të vërtetë të Republikës dhe një artiste të çmuar të teatrit dhe kinemasë.
“Po përjetojmë një dhimbje të madhe pas humbjes së Gülsen Tuncer, një intelektuale e vërtetë e Republikës, artiste e çmuar e teatrit dhe kinemasë. Ajo la gjurmë në zemrat tona me artin, elegancën, dashurinë për atdheun dhe humanizmin e saj. I shprehim ngushëllimet tona familjes, të afërmve dhe të gjithë njerëzve që e deshën”, thuhej në deklaratë.
Gülsen Tuncer lindi në vitin 1945 në Adana. Ajo u diplomua në Degën e Teatrit të Konservatorit të Bashkisë së Stambollit, ku gjatë studimeve mori mësime nga emra të njohur të skenës turke, mes tyre Yıldız Kenter dhe Ayla Algan.
Karrierën profesionale në teatër e nisi në vitin 1968, me shfaqjen “Zilli Zarife”, në teatrin e Gülriz Sururi dhe Engin Cezzar.
Përveç teatrit, Tuncer u angazhua edhe në kinematografi dhe televizion.
Gjatë karrierës së saj, ajo punoi si asistente dhe ndihmëse regjie në rreth 40 filma.
Publiku i gjerë turk e njohu veçanërisht për rolin e Arsen Hanım në serialin e njohur “Aşk-ı Memnu”, ndërsa vlerësime mori edhe për interpretimet e saj në filma të ndryshëm.
Për rolet në “Soğuktu ve Yağmur Çiseliyordu” (1991) dhe “Bir Tren Yolculuğu” (1988), Tuncer fitoi çmime në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor” në festivale të ndryshme të filmit.
Me një karrierë të gjatë në teatër, film dhe televizion, Gülsen Tuncer mbetet një nga figurat e njohura të artit turk. /Prive By Liberta Spahiu


