Rita Ora po përballet me një padi nga ish-menaxherja e saj, Sarah Stennett, e cila pretendon se kompanisë së saj, FAE Ventures, i detyrohen më shumë se 3.2 milionë paund.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën e Lartë në Mbretërinë e Bashkuar, kompania pretendon se Rita nuk ka respektuar disa kushte të kontratës së saj, duke mos i kaluar kompanisë një pjesë të të ardhurave të krijuara nga turnetë dhe angazhimet televizive.
Stennett, e cila e menaxhoi Ritën që nga viti 2009 dhe luajti rol në zhvillimin e karrierës së saj, u nda profesionalisht nga këngëtarja në vitin 2024. Ndarja fillimisht u duk miqësore, por tashmë marrëdhënia mes palëve ka përfunduar në një përballje ligjore.
Pjesa më e madhe e shumës së pretenduar, më shumë se 1.7 milionë paund, lidhet me atë që kompania e Stennett e përshkruan si “zbritje të palejueshme” për shërbime profesionale, përfshirë reklamat, kontabilitetin dhe sigurimet.
Në dokumente pretendohet gjithashtu se më shumë se 1.1 milionë paund të ardhura nga turneu “Phoenix World Tour” nuk janë raportuar. Turneu, i zhvilluar gjatë viteve 2019 dhe 2020, përfshinte shtatë koncerte në arena në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë një mbrëmje në “O2 Arena” në Londër.
Sipas pretendimeve të kompanisë, pagesat e komisioneve nuk përfshinin të gjitha të ardhurat që Rita kishte marrë ose që ishin marrë në emër të saj gjatë kësaj periudhe.
Në dokumentet gjyqësore përmenden gjithashtu të ardhura nga koncertet që, sipas pretendimit të kompanisë, arrinin deri në 6 milionë paund dhe nuk ishin pasqyruar në deklaratat përkatëse.
Edhe puna televizive e këngëtares është pjesë e çështjes. Kompania pretendon se të ardhurat e Ritës nga roli i saj si anëtare e jurisë në sezonin e pestë të “The Masked Singer” nuk janë deklaruar në mënyrë të saktë, duke pretenduar se disa fatura nuk pasqyronin shumën që ajo duhej të merrte sipas kontratës.
Pas këtyre pretendimeve, kompania e Stennett kishte kërkuar edhe të shqyrtonte librat financiarë të Ritës. Sipas dokumenteve, një kompani e specializuar në kontabilitetin muzikor ka audituar deklaratat e saj financiare për gjashtë vite, nga korriku i vitit 2018 deri në qershor të vitit 2024.
Megjithatë, pala e Sarah Stennett pretendon se gjatë procesit iu vunë në dispozicion vetëm disa nga dokumentet e kërkuara.
Deri më tani, Rita Ora nuk ka dorëzuar një mbrojtje zyrtare ndaj padisë, ndërsa pretendimet e ish-menaxheres dhe kompanisë së saj do të trajtohen përmes procesit gjyqësor. /Prive By Liberta Spahiu


