Këngëtari Labinot Rexha ka përjetuar sot një ngjarje të rëndë, ku sipas tij, si pasojë e një konflikti pronësor është sulmuar fizikisht dhe me fjalor fyes bashkë me nënën e tij. Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtari ka publikuar pamjet nga momenti kur është ofenduar.
Ditën e sotme, gjatë një lidhjeje telefonike për Prive by Liberta Spahiu, Rexha ka sqaruar se incidenti ndodhi gjatë mëngjesit të sotëm, tek po bëhej gati për të shkuar në një dasmë në Prizren.
Ai tregoi se zanafilla e përplasjes lidhet me një proces gjyqësor të hapur për një hapësirë prej 16 metrash katrorë, duke bërë me dije se nëna e tij dhe vajza e xhaxhit u sulmuan nga burra dhe dy gra. Këngëtari i bëri thirrje publike prokurorisë që të mos i lirojë personat përgjegjës.
Në llogarinë e tij në Instagram, ai ka publikuar edhe videon nga vendngjarja ku dëgjohen fyerjet ndaj tij, shoqëruar me një deklaratë të gjatë ku ka përmendur me emra personat e përfshirë.
Këngëtari e cilësoi këtë si pasojë të një mosmarrëveshjeje të gjatë familjare e pronësore, ku në tokën e tyre janë ndërtuar shtëpi e garazhe, ndërsa vazhdojnë presionet për vetëm disa metra katrorë.
Përmes reagimit të tij, këngëtari nënvizoi se prekja e nënës është një vijë e kuqe që nuk duhet ta kalojë askush.
Ai deklaroi se nuk kërkon hakmarrje por vetëm drejtësi përmes rrugëve institucionale, duke konfirmuar se nuk do të heshtë dhe do ta ndjekë çështjen ligjore deri në fund për të mbrojtur dinjitetin e familjes së tij.
/Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


