Pas një beteje të egër ligjore, aktori dhe regjisori Justin Baldoni ka thyer heshtjen për sherrin e prapaskenave të filmit “It Ends with Us” me kolegen e tij, Blake Lively, duke njoftuar se palët kanë arritur një marrëveshje.
Përmes një videoje në Instagram krahas bashkëshortes së tij, Emily, Baldoni tregoi se kanë qëndruar në heshtje për dy vjet jo sepse s’kishin çfarë të thoshin, por sepse donin të prisnin momentin e duhur dhe të linin sistemin e drejtësisë të bënte punën e vet.
Përplasja e bujshme nisi në dhjetor të vitit 2024, kur Blake Lively paditi Baldonin për ngacmim seksual dhe hakmarrje.
Aktori i mohoi prerazi akuzat dhe iu përgjigj me një kundërpadi prej 400 milionë dollarësh për shpifje dhe shkelje kontrate ndaj Lively-t, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds, menaxheres së PR-it Leslie Sloane dhe firmës së saj, padi e cila më vonë u rrëzua.
Përpara se çështja të shkonte në gjyq në Nju-Jork më 18 maj, procesi u ngushtua ndjeshëm, duke lënë në fuqi vetëm pak pretendime për hakmarrje, ku Lively pritej të dëshmonte.
Muajin e kaluar, një gjykatës federal vendosi që Lively kishte të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të avokatëve për kundërpadinë e Baldonit, ku ajo kërkoi mbi 8 milionë dollarë, por çdo dëmshpërblim tjetër ndëshkues duhej të kërkohej me një padi të veçantë.
Avokatët e saj, Michael Gottlieb dhe Esra Hudson, e quajtën këtë një vendim historik që paralajmëron ata që përdorin paditë si armë intimidimi.
Më 4 maj, avokatët e të dyja palëve njoftuan zyrtarisht marrëveshjen përmes një deklarate të përbashkët ku shprehnin krenarinë për filmin, rëndësinë e mbështetjes së të mbijetuarve të dhunës në familje dhe dëshirën për paqe në internet.
Megjithatë, Bryan Freedman, avokati i Baldonit dhe Wayfarer Studios, e quajti marrëveshjen një triumf total.
Sipas dokumenteve gjyqësore të 8 majit, Lively pranoi t’i tërhiqte vullnetarisht tri pretendimet e mbetura pa marrë asnjë qindarkë nga dëmshpërblimi prej 300 milionë dollarësh që kërkonte, pasi gjykata kishte rrëzuar tashmë 10 nga 13 pikat e saj, përfshirë çdo akuzë për ngacmim seksual e shpifje.
Në video, çifti Baldoni u shpreh se mirënjohja i ka shpëtuar, por kjo nuk e fshin dhimbjen.
Emily theksoi se u është dashur të kalojnë shumë traumë dhe të kuptojnë se si mund të ndodhte diçka e tillë, e maskuar madje si një luftë për të drejtat e grave.
Justin shtoi se shërimi nuk është linear dhe se çdo ditë duket ndryshe, ndaj u është dashur të rimendojnë se çfarë ka vërtet rëndësi, që nga familja, miqtë, komuniteti e deri te besimi i tyre, duke u shprehur se martesa e tyre e nisur në korrik të vitit 2013 është bërë edhe më e fortë.
Ky sherr prapaskenash erdhi paralelisht me një sukses të madh, pasi filmi “It Ends With Us”, me regji të Baldonit dhe me protagonistë dyshen e përfshirë në konflikt, u kthye në një superhit në arkat kinematografike, duke grumbulluar mbi 350 milionë dollarë në mbarë botën.
Përqendrimi i tyre tani do të jetë te vazhdimi i shërimit dhe koha me fëmijët, ndonëse premtuan se koha për të thënë më shumë do të vijë.
/Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


