Kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe ylli i skuadrës së Napolit, Amir Rrahmani, ka hedhur një hap të rëndësishëm në jetën e tij private. Më 30 maj, në ishullin magjik të Sicilisë në Itali, futbollisti i ka propozuar për martesë partneres së tij, Drita Stublla, pas një lidhjeje dashurie më shumë se një vit.
Çifti i njohur është treguar mjaft i kujdesshëm përgjatë gjithë kësaj periudhe, duke e mbajtur romancën e tyre plotësisht private dhe larg vëmendjes së mediave rozë. Megjithatë, lajmi për fejesën e tyre qarkulloi me shpejtësi javë më parë, kur në rrjet u përhapën disa fotografi ku shihej momenti i propozimit në një jaht dhe një postim nga Drita që tregonte unazën e madhe të diamantit.
Ndonëse fillimisht preferuan të heshtin, ka qenë vetë Drita ajo që ka thyer akullin duke ndarë detaje dhe pamje nga ky moment magjik përmes një postimi në llogarinë e saj në TikTok. Ajo ka zbuluar pamjet e kuruara deri në detaje të organizimit në Itali, ku çdo gjë dukej si skenë filmi.
Propozimi ka qenë një surprizë e vërtetë e organizuar mbi një jaht luksoz në mes të detit. Në momentin e rëndësishëm, pranë jahtit kryesor janë afruar dy varka më të vogla: në njërën prej tyre gjendeshin miqtë e çiftit që mbanin një pankartë të madhe ku shkruhej “MARRY ME!” ndërsa në varkën tjetër ishin fëmijët e vegjël të veshur me të bardha, të cilët mbanin lule dhe kurora në kokë.
Në fotot e publikuara shihet edhe momenti mjaft i ëmbël kur Amiri ulet në gjunjë në pjesën e përparme të jahtit, dhe pas marrjes së përgjigjes pozitive, çifti bën një përqafim të ngrohtë. Ambientet ishin të dekoruara me mbishkrime të personalizuara si “Amir ❤ Drita” dhe detaje romantike si “Per sempre io e te” (Përgjithmonë unë dhe ti), teksa të ftuarit kanë qenë të gjithë të veshur me të bardha, duke plotësuar kështu një moment përrallor. /Prive By Liberta Spahiu


