Marka e famshme e Kim Kardashian, “Skims”, po paditet nga një stiliste e vogël nga Nju Jorku për përdorimin e emrit “Fits Everybody” në koleksionin e saj të të brendshmeve.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six, perandoria e modës e yllit televiziv po vihet në shënjestër për koleksionin e saj masiv, ndërkohë që marka shumë më e vogël e quajtur “Fits Everybody To A T” pretendon se ka pasur tashmë të drejtat ligjore mbi këtë emër.
Në padinë prej 43 faqesh për shkelje të markës tregtare, e cila u ngrit më 31 mars në emër të stilistes Denise Cesare, pretendohet se “Skims” vazhdoi me lançimin e koleksionit të saj edhe pasi “mori njoftime të përsëritura dhe të qarta” për të drejtat e biznesit të vogël.
Avokatët e stilistes akuzojnë “Skims” se ka marrë një “vendim të llogaritur” për ta përdorur këtë emër me çdo kusht. Sipas tyre, kompania e Kardashian përdori “burimet e saj të jashtëzakonshme financiare, lidhjet me të famshëm dhe makinerinë e marketingut për ta shtypur” biznesin e vogël, duke e ditur se atyre do t’u mungonin fondet për t’u mbrojtur ligjërisht.
Për këtë arsye, Cesare kërkon një urdhër nga gjykata për të ndaluar “Skims” që të përdorë emrin, si dhe dëmshpërblim për fitimet e humbura dhe kostot ligjore.
Ikona e reality TV e lançoi markën e saj “Skims” (e cila sot vlerësohet plot 5 miliardë dollarë) në vitin 2019, ndërsa marka e Cesare ka shitur veshje dhe rroba banje nën emrin “Fits Everybody To A T” për gati dhjetë vjet.
Ndër shqetësimet kryesore të paditëses është se përdorimi i këtij emërtimi nga ana e perandorisë së Kardashian shkakton konfuzion dhe kërcënon të zhdukë totalisht identitetin e markës së saj. Dokumentet theksojnë se si pasojë e emrave të ngjashëm, marka e vogël është bërë “efektivisht e padukshme” në rezultatet e kërkimit në internet.


