Një mbrëmje e jashtëzakonshme ku gërshetohen fotografia, arti vizual dhe muzika po vjen në kryeqytet.
Në kuadër të edicionit të 6-të të Rame Lahaj International Opera Festival, më 4 korrik do të hapet ekspozita e fotografit me famë botërore, Fadil Berisha, e titulluar “Before Beauty / After Beauty”.
Ngjarja e madhe do të jetësohet në Galerinë e Arteve në Marigona Hill, vend ky që do të shndërrohet në pikëtakim të artit e kujtimeve që jetojnë përtej një shkrepjeje të vetme.
Ky organizim shënon edhe fillimin e rrugëtimit të festivalit të sivjetmë, i cili do të zgjasë nga data 4 deri më 29 korrik 2026.
Përveç kryeveprave vizuale të Fadil Berishës, kjo mbrëmje rezervon edhe një surprizë të madhe për adhuruesit e muzikës. Përpara hapjes zyrtare të ekspozitës, skenës do t’i rikthehet pas shumë vitesh grupi legjendar, Minatori, duke dhuruar një performancë të veçantë për të gjithë publikun artdashës.
Sipas ftesës zyrtare të publikuar nga fondacioni “Rame Lahaj”, i gjithë programi është planifikuar të nisë saktësisht në orën 19:00. Nën moton e njohur të festivalit “Play Music, Not War”, ky event premton të mbledhë figurat më të shquara të kulturës dhe artit në Kosovë. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


