Grida Duma ka reaguar publikisht me anë të një deklarate në adresën e saj në Instagram, duke hedhur poshtë me forcë zërat se ajo mund të emërohej zëvendëskryeministre në qeverinë e Edi Ramës. Përmes këtij reagimi, ajo ka bërë me dije se pretendimet për rikthimin e saj në politikën aktive apo marrjen e një posti qeveritar nuk janë të vërteta.
“Ka ca ditë që më përflitet emri se do jem pjesë e qeverisë Rama. Ma kanë caktuar pazarin, ma kanë gjetur sponsorin, ma kanë përcaktuar pozicionimin. Jam argëtuar në fillim, e lashë të rridhte. Është një ushtrim durimi.”“Flini të qetë, nuk kam ndërmend t’i marr vendin askujt, sepse po të doja t’i merrja vendin dikujt tani, në këto momente politike, do të ishte keq për Shqipërinë.”“Nuk më thërret mua njeri në politikë, nuk pres ftesa nga të tjerët. Nëse ndonjë ditë do kem vendimmarrjen time për të hyrë në politikë, do hyj nga porta ime, nuk do i bie portës së askujt, nuk pres ftesa. Vendimi im për të hyrë në politikë do jetë nëse do kem diçka për t’i ofruar Shqipërisë.”“Ka ditë që takohen në Pogradec, Tiranë, ministra, drejtues, deputetë. Mendoj se të gjithë shqiptarët e kanë mendjen te porta e tyre, nëse do dalë tym i bardhë në këtë realitet qeverisjeje me re të zeza… Ndërsa këta shqetësohen për postin e karriges së tyre, shqiptarët e kanë një shqetësim të madh: kanë apo jo ende vend në Shqipëri.”“Individi, mrekulli e Zotit qoftë ai individ, nuk e bën dot më i vetëm ndryshimin në këtë situatë. Duhet shumë më tepër sesa një individ për të sjellë atë që shqiptarët presin… Ajo që duhet t’i mbajë zgjuar politikanët shqiptarë nuk është një emër që vjen nga jashtë. Ajo që duhet t’i mbajë zgjuar politikanët shqiptarë është arsyeja se përse shqiptarët bëjnë akoma pyetjen: ‘A kanë vend në Shqipëri?’, dhe jo emri im.”
View this post on Instagram


