Don Xhoni, ka bërë të ditur se do t’i bashkohet marshit protestues “Marsh për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim nga ora 14:00. Përmes disa postimeve në rrjetin social Instagram, artisti ka shprehur hapur mbështetjen e tij për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në mesazhin e tij publik, Don Xhoni ka theksuar se ky marsh tejkalon emrat individualë dhe lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën e vendit.
“Nuk po gjykohen veç ata. Po gjykohet një pjesë e historisë tonë. Po gjykohet sakrifica jonë. Po gjykohet liria e vendit tonë. E ajo liri, për mua, nuk ka çmim”, ka shkruar reperi krah emblemës zyrtare të UÇK-së, duke bërë thirrje për prani masive në kryeqytet.

Don Xhoni po ashtu ka shpërndarë posterin zyrtar me moton “Kosova po pret” dhe “Liria ka Emër”, ku figurojnë imazhet e ish-drejtuesve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Para Don Xhonit edhe emra të tjerë të shquar të artit e muzikës shqiptare, si Yll Limani, MC Kresga dhe Shyhrete Behluli, kanë përdorur platformat e tyre për të bërë thirrje për solidaritet.
Organizimi i “Marshit për Liri” nga platforma “Liria ka Emër” vjen si një reagim qytetar ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të dëgjojnë verdiktin për akuzat ndaj tyre.
/Prive By Liberta Spahiu



