Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt në Pejë ka nxitur reagime të shumta, mes tyre edhe atë të modeles së njohur Arbenita Ismajli, e cila ka shpërthyer me kritika ndaj mentalitetit patriarkal dhe institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Reagimi i saj merr një peshë të veçantë edhe për shkak të historisë personale të modeles, e cila prej vitesh është përballur me një proces të gjatë e të komplikuar gjyqësor pas ndarjes nga ish-bashkëshorti, reperi Fero, me të cilin ka vajzën Nina.
Në një mesazh të drejtpërdrejtë për gratë, Arbenita u ka bërë thirrje të mos lejojnë që burrat apo pritshmëritë e shoqërisë të kontrollojnë jetën e tyre.
“Oj femra, mjaft u dhatë pushtet burrave mbi jetët tuaja! Mos u martoni, mos bëni fëmijë vetëm sepse kështu e kërkon shoqëria”, shkruhet në mesazhin e publikuar nga modelja.
Ajo ka bërë thirrje për pavarësi dhe për t’i dhënë fund nënshtrimit ndaj një sistemi që, sipas saj, nuk u garanton grave as sigurinë më elementare.
Por përtej mesazhit të përgjithshëm, Arbenita e ka lidhur reagimin edhe me përvojën e saj si nënë.
Historia e saj me Feron ka qenë ndër më të komentuarat në mediat shqiptare.
Pas ndarjes, marrëdhënia mes tyre u shoqërua me akuza të ndërsjella, pretendime për dhunë dhe një betejë të gjatë ligjore për kujdestarinë dhe kontaktet me vajzën Nina.
Në korrik të vitit 2023, Fero ishte arrestuar nën dyshimet për dhunë në familje ndaj Arbenitës.
Ndërsa në vitin 2025, Prokuroria Themelore në Gjilan ngriti aktakuzë ndaj tij për dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje, lidhur me veprime të dyshuara gjatë vitit 2024.
Nga ana tjetër, edhe Arbenita është përballur me procedura gjyqësore lidhur me zbatimin e vendimeve për vajzën.
Në gusht të vitit 2025, Gjykata Themelore në Gjilan konfirmoi lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj saj, ndërsa Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për marrje apo mbajtje të kundërligjshme të fëmijës dhe mospërfillje të gjykatës.
Këto mbeten akuza dhe jo konstatime të fajësisë.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, modelja ka deklaruar publikisht se ka përjetuar trauma, ankth dhe frikë, ndërsa ka këmbëngulur se veprimet e saj kanë pasur për qëllim mbrojtjen e vetes dhe të vajzës.
Fero, ndërkohë, i ka kundërshtuar pretendimet e saj dhe ka akuzuar ish-bashkëshorten për pengimin e kontakteve me Ninën.
Pikërisht kësaj përvoje Arbenita i është rikthyer edhe në reagimin e fundit, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si institucionet trajtojnë rastet që përfshijnë gratë dhe fëmijët.
“Kjo është pikërisht arsyeja pse unë, si nënë, humba besimin te gjykatat, prokuroria dhe Qendra për Punë Sociale atje”, ka shkruar ajo.
Sipas Arbenitës, frika, trauma dhe siguria psikologjike e vajzës së saj nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur. Ajo thotë se në vend që të ndiheshin të mbrojtura, janë trajtuar nga institucionet si një dosje tjetër gjyqësore.
“Si nënë, refuzova ta lë fatin e fëmijës tim në duart e një sistemi që nuk na dha siguri. As unë, as fëmija im nuk duhet të përfundojmë viktima që institucionet më në fund të na marrin seriozisht”, ka theksuar modelja.
Për Arbenitën, siguria e vajzës Nina mbetet prioriteti kryesor, ndërsa reagimi i saj tregon se përplasjet e viteve të fundit me institucionet kanë lënë gjurmë të thella në besimin e saj ndaj sistemit të drejtësisë.
“Sepse drejtësia që vjen pas tragjedisë nuk është drejtësi. Është dëshmi e dështimit të një shteti që duhej të na mbronte”, ka përfunduar ajo.
Reagimi i Arbenitës vjen në një moment kur vrasja e Arlinda Zekajt ka rikthyer debatin për dhunën ndaj grave dhe përgjegjësinë e institucioneve.
Për modelen, ky debat nuk lidhet vetëm me një ngjarje tragjike, por edhe me betejën personale që ajo thotë se vazhdon ta bëjë për veten dhe të bijën. /Prive By LS



