Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për Jeton Sylaj, bashkëshortin e Arlinda Zekajt.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Mospërfillja e gjykatës”, pasi, pavarësisht vendimit të gjykatës që e ndalonte t’i afrohej tashmë të ndjerës, dyshohet se e ka shkelur këtë urdhër dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë të Komunës së Pejës.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit thuhet se i pandehuri dyshohet se nuk e ka respektuar pikën I të dispozitivit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor 2026.
Përkundër urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte, ai dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tashmë të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka marrë rrobat që viktima i kishte vendosur në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Pejë. /Prive By LS


