Bota e muzikës turke ka humbur një prej emrave të njohur të muzikës arabesk. Këngëtarja Cansever ka ndërruar jetë më 8 gusht, në moshën 59-vjeçare, pas betejës me leukeminë.
Artistja prej një kohe po trajtohej në Gjermani, ku raportohet se i ishte nënshtruar edhe transplantit të palcës së kockave. Gjendja e saj shëndetësore kishte qenë e rënduar gjatë muajve të fundit, ndërsa lajmi për vdekjen e saj ka sjellë reagime të shumta në botën e muzikës turke.
Por kush ishte Cansever?
Emri i saj i vërtetë ishte Dzansever Dalipova. Ajo lindi më 8 korrik të vitit 1967 në Veles të Maqedonisë së Veriut, si fëmija më i vogël në një familje me shtatë fëmijë. Me prejardhje rome, Cansever më vonë do ta ndërtonte pjesën më të njohur të karrierës së saj në Turqi.
Jeta e saj ishte shënuar nga vështirësi që në fëmijëri. Në moshën 12-vjeçare ajo humbi njërin sy pas një incidenti, por kjo nuk e pengoi të vazhdonte rrugën drejt muzikës.
Karrierën profesionale e nisi në fillim të viteve ’90 në Maqedoni, ndërsa më pas u bë e njohur për publikun e gjerë në Turqi. Me zërin dhe mënyrën karakteristike të interpretimit, Cansever krijoi identitet të veçantë duke ndërthurur muzikën arabesk me elemente të muzikës rome.
Veçanërisht gjatë viteve ’90 dhe më pas, ajo arriti të krijonte një publik besnik dhe u shndërrua në një prej zërave të dallueshëm të këtij zhanri.
Cansever ndërroi jetë në Gjermani, ku po merrte trajtim për leukeminë, duke lënë pas një karrierë mbi tri dekada në muzikë. /Prive By Liberta Spahiu



