Abdul El-Sayed ka shënuar një moment historik në politikën amerikane, duke u bërë myslimani i parë që zgjidhet në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Demokrati 42-vjeçar ka fituar garën në shtetin e Miçiganit, duke mposhtur kandidatin republikan Mike Rogers në zgjedhjet e mbajtura më 3 nëntor.
Sipas rezultateve të raportuara, El-Sayed ka siguruar 52.4 për qind të votave, ndërsa kundërshtari i tij ka marrë 45.6 për qind.
El-Sayed është mjek dhe ekspert i shëndetit publik, i lindur në Miçigan, në një familje emigrantësh nga Egjipti.
Gjatë fushatës, ai u përqendrua kryesisht te çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si kostoja e jetesës, qasja në shërbime shëndetësore dhe mundësitë për strehim më të përballueshëm.
Pas shpalljes së fitores, ai iu drejtua mbështetësve me fjalët:
“Miçigan, ia dolëm!”.
Në fjalimin e tij, El-Sayed foli edhe për përpjekjet për ta ndarë elektoratin duke vënë në pah prejardhjen dhe besimin e tij fetar.
“Dëshirojnë një Amerikë që nuk ka vend për disa prej nesh. Ne e dimë se Amerika është mjaftueshëm e madhe për të gjithë”, u shpreh ai.
Ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, politikani e cilësoi fitoren një nder dhe privilegj, duke theksuar se do të shkojë në Senatin amerikan për t’i shërbyer qytetarëve të Miçiganit.
Gjatë kësaj gare, El-Sayed u përball edhe me kundërshtime nga figura brenda Partisë Demokratike.
Kongresistja Haley Stevens, të cilën ai e kishte mposhtur në zgjedhjet paraprake të partisë, në ditët e fundit të fushatës doli në mbështetje të kandidatit republikan Mike Rogers.
Ky i fundit kishte marrë edhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Me fitoren e tij, El-Sayed do të zëvendësojë senatorin demokrat Gary Peters, i cili nuk kandidoi për një mandat të ri.
Ai pritet ta marrë detyrën më 3 janar 2027, duke hyrë kështu në histori si myslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan.
/Prive By LS



