Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burg për vrasjen e Liridona Ademajt.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Fatime Dermaku, ka shpallur fajtorë të akuzuarit për krimin e mirëorganizuar që tronditi opinionin publik në nëntor të vitit 2023.
Naim Murseli u shpall fajtor për planifikimin dhe bashkëkryerjen e vrasjes së rëndë, Granit Plava si ekzekutori i krimit, ndërsa Kushtrim Kokalla për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre makabre.
Aktakuza e Prokurorisë zbuloi se ky krim gjakftohtë ishte planifikuar deri në detaje me qëllim përfitimin financiar.
Naim Murseli e kishte organizuar vrasjen e ish-bashkëshortes së tij për të përfituar nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, i cili kapte vlerën e rreth 260 mijë eurove.
Për realizimin e këtij plani, Kokalla e kishte njoftuar Murselin me Granit Plavën, i cili pranoi të kryente ekzekutimin kundrejt një premtimi për pagesë prej 30 mijë eurove.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit 2023 në fshatin Bërnicë, ku Liridona u vra brenda veturës në prani të dy fëmijëve të saj të mitur, në një skenar që fillimisht u tentua të inskenohej si grabitje.
Gjatë procesit gjyqësor, prokurorja Javorka Përlinçeviq argumentoi se vrasja ishte kryer në mënyrë tinëzare dhe kërkoi dënimin maksimal.
Këtë qëndrim e mbështeti edhe vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, i cili pas shpalljes së verdiktit deklaroi se ky vendim është një hap drejt drejtësisë për Liridonën dhe fëmijët e saj.
Megjithatë, përfaqësuesit ligjorë të familjes Ademaj kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin për Kushtrim Kokallën, duke kërkuar që edhe ndaj tij të shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm për shkak të peshës së rolit të tij në këtë ngjarje të rëndë.
/Prive By Liberta Spahiu


