Një nga thashethemet më të bujshme të momentit në median rozë turke ka të bëjë me aktorin e famshëm Kerem Bürsin, i njohur për rolet e tij në serialet mjaft të ndjekura si “Sen Çal Kapımı” dhe “Ya Çok Seversen”. Pas disa muajsh ndarjeje që mërziti pa masë ndjekësit e tyre, përflitet se ai dhe influencuesja e njohur Selin Yağcıoğlu janë rikthyer përsëri bashkë.
Lidhja e tyre e parë, e cila kishte zgjatur rreth 7 muaj, kishte përfunduar në mënyrë të heshtur për shkak të mosmarrëveshjeve mes çiftit. Gjatë asaj kohe, Selin ishte ajo që e shfaqte dashurinë më hapur në rrjetet sociale, duke ndarë shpesh mesazhe të ëmbla ku thoshte se ndiheshin si “të rënë në dashuri si në shkollë të mesme”, ndërsa Kerem gjithmonë përpiqej t’u bënte bisht pyetjeve të gazetarëve duke u shprehur se jeta e tij private ishte “shumë e mërzitshme” për t’u komentuar.

Megjithatë, sipas informacioneve të fundit që vijnë nga rrethi i tyre i ngushtë shoqëror, dyshja ka vendosur ta harrojë të kaluarën dhe të fillojë një kapitull të ri. Këtë herë, strategjia e tyre ka ndryshuar plotësisht: ata kanë zgjedhur ta mbajnë marrëdhënien e tyre larg syrit të publikut dhe ta jetojnë dashurinë në fshehtësi të plotë.
Deri më tani, si aktori Kerem Bürsin ashtu edhe influencuesja Selin Yağcıoğlu kanë preferuar të qëndrojnë në heshtje, duke mos bërë ende asnjë deklaratë apo njoftim zyrtar në profilet e tyre, çka përputhet me vendimin e tyre të ri për privatësi absolute. /Prive By Liberta Spahiu

