Një lajm i papritur ka tronditur ndjekësit e telenovelave turke, pasi projekti i ri që bënte bashkë dy prej aktorëve më të dashur, Ibrahim Çelikkol dhe Cansu Dere, është anuluar papritur. Seriali i titulluar “Binbir Gece Masalları” (Përrallat e Një Mijë e Një Netëve) është hequr zyrtarisht nga lista e transmetimit të platformës shtetërore turke, tabii.
Ky vendim drastik thuhet se ka ardhur si pasojë e një polemike të rëndë ku është përfshirë aktori kryesor, Ibrahim Çelikkol. Sipas raportimeve që qarkullojnë në mediat sociale, aktori ka rezultuar “pozitiv” (për përdorim substancash të ndaluara) gjatë një operacioni të fundit të forcave të rendit. Ky incident ka mjaftuar që drejtuesit e platformës të tërhiqen nga projekti për të shmangur dëmtimin e imazhit publik.
Fati i produksionit, i cili ishte planifikuar të kishte 30 episode, mbetet i paqartë. Megjithëse ishte një nga projektet më të bujshme të vitit, zyrtarët kanë vendosur që transmetimi të shtyhet për sezonet e ardhshme, duke pritur një moment më të qetë ose sqarimin e plotë të situatës ligjore të aktorit. Kjo ka lënë në pritje edhe partneren e tij në serial, aktoren Cansu Dere, e cila konsiderohet si një nga ikonat e ekranit turk.
Ndërkohë, në rrjetet sociale ka shpërthyer një debat i madh mes fansave. Shumë prej tyre po shprehin pakënaqësi ndaj presionit që ushtrohet mbi artistët në Turqi, duke sugjeruar se yje të këtij kalibri duhet të fokusohen vetëm në platformat ndërkombëtare si Netflix apo Disney+. Sipas komentuesve, këto platforma ofrojnë më shumë liri dhe i mbrojnë artistët nga “përndjekjet” apo censura e rreptë që po vjen duke u rritur në televizionet tradicionale. /Prive By Liberta Spahiu


