Një ditë pasi u bë publik lajmi se Alba, bashkëshortja e Marinit, ka sjellë në jetë fëmijën e tyre, ajo ka reaguar gjatë në rrjete sociale, duke treguar për herë të parë se çfarë kishte përjetuar gjatë shtatzënisë dhe pse kishte zgjedhur ta mbante këtë periudhë larg publikut.
“Me gjithë shakatë mënjanë, nuk po fshihesha. Thjesht po përjetoja një lloj shtatzënie ndryshe nga ajo me të cilën isha mësuar”, ka shkruar Alba.
Ajo ka treguar se, pas humbjes së djalit të saj në një shtatzëni të mëparshme, ishte futur automatikisht në kategorinë e shtatzënive me rrezik të lartë. Për këtë arsye, muajt e pritjes ishin të mbushur me kontrolle të vazhdueshme, por edhe me frikë e ankth.
“Je vazhdimisht e shqetësuar dhe plot ankth, gjithmonë në gatishmëri dhe duke pyetur veten nëse gjithçka është në rregull”, rrëfen ajo. Alba i konsideron këto ndjesi reagime të lidhura me traumën që kishte kaluar më herët.
Një nga pjesët më prekëse të reagimit lidhet pikërisht me djalin e humbur. Edhe pse po përjetonte një shtatzëni të re, ajo thotë se pikëllimi vazhdonte të ishte shumë i pranishëm: “Ju lutem, mos harroni se ende po vajtoja shumë për djalin tim”.
Pikërisht kombinimi i një shtatzënie me rrezik të lartë, ankthit dhe procesit të zisë kishte bërë që Alba të kërkonte privatësi gjatë gjithë kësaj kohe.
“Nuk po fshihesha, thjesht po ndodhnin shumë gjëra dhe kisha nevojë për privatësi”, përfundoi ajo, vetëm një ditë pasi publiku mësoi lajmin e lindjes. /Prive By Liberta Spahiu



