Këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore, Aferdita Demaku, ka sjellë një projekt mjaft unik dhe plot emocione për publikun.
Ajo ka lansuar këngën e saj më të re të titulluar “Shoku i jetës”, një krijim që vjen si një dedikim i ndierë dhe plot dashuri.
Ky projekt muzikor mban një rëndësi krejtësisht të veçantë për këngëtaren, pasi është realizuar pikerisht për të shënuar 30-vjetorin e martesës së saj me bashkëshortin, Besnikun.
Për më tepër, veçantia e kësaj kënge qëndron në faktin se tekstin e saj e kanë shkruar dhe “qëndisur” vetë Aferdita bashkë me Besnikun, duke pasqyruar rrugëtimin e tyre tre-dekadash.
Për anën profesionale të projektit, artistja i ka besuar emrave të mëdhenj të skenës. Muzika dhe orkestrimi mbajnë vulën e kompozitorit Alban Furtuna, ndërsa videoklipi është realizuar nga shtëpia e njohur filmike “MProduction” në ambientet e bukura në Vërmicë. Në klip marrin pjesë edhe emra si klarinetisti Shaban Çela dhe grupi i valltarëve “P & E Group” nga Vlora.
Përmes një mesazhi të ndarë me ndjekësit, Aferdita ka shprehur dëshirën që kjo këngë të pëlqehet nga publiku dhe që çdo çift të gjejë veten në këto vargje në çdo përvjetor të martesës së tyre. /Prive By Liberta Spahiu


