Si është e mundur të parashikohet finalja e Kupës së Botës plot pesë vite përpara? Një postim i vjetër në platformën X (ish-Twitter) nga viti 2021 ka bërë xhiron e rrjetit, pasi përdoruesit vunë re se ai kishte gjetur me saktësi absolute dy skuadrat që do të përballen në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026: Argjentinën dhe Spanjën.
Argjentina siguroi biletën për në finale pasi shënoi dy gola kundër Anglisë në gjysmëfinale. Nga ana tjetër, kombëtarja angleze u përball me kritika të ashpra nga fansat e saj. Kjo erdhi pasi skuadra kaloi tërësisht në një strategji mbrojtëse menjëherë pasi shënoi golin e vetëm në portën e Emiliano Martínez-it, duke i lënë Argjentinës hapësira dhe raste të shumta për të shënuar në portën e Pickford-it.
Në krahun tjetër, Spanja u kualifikua për në finale duke mposhtur Francën me rezultatin e pastër 2-0. Meritë të jashtëzakonshme në këtë përballje pati mbrojtësi Marc Cucurella, performanca dhe mbrojtja e shkëlqyer e të cilit neutralizuan sulmet e rrezikshme franceze dhe i hapën rrugën kombëtares spanjolle drejt finales së madhe.
Ndërsa parashikimet se kush do ta ngrijë trofeun vërshuan në rrjetet sociale, postimi i vitit 2021 nga përdoruesi i quajtur “dilemma” shkaktoi debate të nxehta dhe dyshime mbi identitetin e tij. Ai jo vetëm që parashikoi çiftin finalist, por shkroi edhe rezultatin që sipas tij pritet të ndodhë më 19 korrik: “Argjentina sapo mposhti Spanjën në finalen e Kupës së Botës 2026, 3-2.”
Ky postim, i shkruar përpara se të luhej edhe Kupa e Botës e vitit 2022 në Katar, ka lënë pa fjalë ndjekësit e futbollit. Një përdorues komentoi i habitur: “Si është e mundur të parashikohet kjo, WOW!”, ndërsa një tjetër pyeti me dyshim: “Ti e ke shkruar këtë para Botërorit 2022, kush është burimi yt të lutem?” /Prive By Liberta Spahiu



