Erling Haaland ka surprizuar miliona fansa në mbarë botën me një ndryshim të rëndësishëm në pamjen e tij të jashtme.
Sulmuesi i njohur i ka dhënë fund flokëve të gjatë biondë, të cilët prej vitesh ishin kthyer në një nga tiparet më dalluese dhe ikonike të tij si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së lojës.
Mirëpo, pas këtij transformimi që u bë menjëherë viral në rrjetet sociale, fshihet një emër shqiptar. Bëhet fjalë për Juna Ademin, një parukiere shqiptare e cila jeton dhe zhvillon me sukses karrierën e saj në Monako.
Përmes një postimi në profilin e saj në Instagram, Juna ka ndarë momentin e veçantë gjatë punës me yllin e futbollit. Krah fotos ku shihet pranë Haalandit me gërshërë e kapëse flokësh në dorë, ajo ka shkruar:
“Një nga fotot e mia të preferuara, faleminderit”.
Postimi ka marrë menjëherë vëmendjen e rrjetit dhe mijëra reagime nga ndjekësit, të cilët kanë komentuar me humor ndryshimin e papritur të futbollistit, ndërsa kanë përgëzuar parukieren shqiptare për punën e saj me një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. /Prive By Liberta Spahiu