Humbja e parakohshme dhe tragjike e jetës së 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, një javë më parë, ka lënë pas dhimbje të thellë tek të afërmit. Ngjarja ka marrë rrjedhën e një investigimi të gjerë policor, pas pretendimeve të familjarëve se e reja mund të ketë marrë këtë vendim fatal si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike të shkaktuar nga konfliktet e vazhdueshme me ish-bashkëshortin e saj, Eraldo Fizi.
Familjarët e së ndjerës kanë ngritur pretendime pranë autoriteteve se rrethana të tilla të rënduara dhe debatet e njëpasnjëshme ishin gjithashtu arsyeja kryesore që çoi në divorcin e çiftit. Ata kanë kërkuar nga institucionet të hetojnë dinamikën e plotë të marrëdhënies, duke përfshirë edhe periudhën kur 25-vjeçarja jetonte në të njëjtën banesë me ish-vjehrrën e saj, ku sipas tyre, ka pasur përplasje të shpeshta.
Në lidhje me këto akuza publike, ka ardhur edhe reagimi i nënës së Eraldo Fizit. Në një prononcim të shkurtër për News24, ajo ka refuzuar të komentojë detajet e raportimeve, duke zgjedhur të ruajë heshtjen.
“Më vjen keq por nuk mund të flas dot. Nuk mund të flas dot se dua të respektoj të ndjerën që është atje ku nuk duhet të ishte,” – u shpreh ajo shkurtimisht.
Çështja tashmë po trajtohet me prioritet nga organet e drejtësisë. Pas një kallëzimi zyrtar të bërë nga familja Nikollaj pranë Komisariatit Nr. 2 në Tiranë, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ish-bashkëshortin për ta marrë në pyetje. Forcat e rendit po punojnë për të bërë të mundur lokalizimin e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. /Prive By Liberta Spahiu


