Ndonëse historia e tyre e dashurisë ishte tashmë një fakt i ditur botërisht prej muajsh, Princ Leka dhe Blerta Celibashi kanë zgjedhur ta hedhin hapin e madh në heshtje të plotë. Çifti, i cili e mbajti romancën e tyre të fortë dhe të konsoliduar pavarësisht vëmendjes së madhe mediatike, sapo ka kurorëzuar dashurinë në një ceremoni krejtësisht private. Oborri Mbretëror Shqiptar e bëri të ditur lajmin përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke ndarë edhe portretin e parë zyrtar të dyshes si burrë e grua.
“Oborri Mbretëror Shqiptar ka kënaqësinë e veçantë të njoftojë martesën e Lartësisë së Tij Mbretërore, Leka II, Princ i Shqiptarëve, me Zonjushën Blerta Celibashi. Martesa u kremtua në një ceremoni private, duke ruajtur karakterin e saj intim dhe solemn”, theksohet në komunikatën zyrtare. Ceremonia nuk u mbajt në Tiranë, por në Kështjellën Apponyi në Sllovaki. Sipas institucionit mbretëror, kjo zgjedhje u bë për të nderuar trashëgiminë e çmuar dhe origjinën hungareze të Mbretëreshës Geraldinë.
Ky kurorëzim vjen si një konfirmim i radhës që dyshja kishte plane serioze që në krye të herës. Pas kapitullit të trazuar të Princit nga ndarja meaktoren Elia Zaharia, që u pasua me pamje të përplasjeve fizike dhe seanca gjyqësore për urdhra mbrojtjeje, lidhja me Blertën ishte streha e tij e qetësisë. Ata janë parë shpesh bashkë kohët e fundit në dalje publike e udhëtime, duke mos e fshehur aspak afeksionin mes tyre. Tashmë çdo gjë është zyrtare edhe në letër, pasi ashtu siç e bën të qartë vetë njoftimi, “pas martesës, Princeshë Blerta do të mbajë mbiemrin e familjes Zogu dhe titullin Princeshë e Shqiptarëve”. /Prive By Liberta Spahiu


