DJ me famë ndërkombëtare, Mahmut Orhan, i njohur për sukseset e tij të mëdha në skenën e muzikës elektronike, ka dhuruar një performancë të jashtëzakonshme që ka korrur pëlqime të shumta. Artisti ka vendosur të ngrejë skenën në fshatin e tij të origjinës, Kürse në Turqi. Pamjet ku ai shihet duke u argëtuar me banorët e zonës, nga të rinjtë e deri te më të moshuarit, janë bërë menjëherë virale në rrjetet sociale.
Mahmut Orhan, i cili ka arritur miliona dëgjues në mbarë botën me hite si “Feel”, “6 Days” e “Save Me”, dhe ka performuar në festivalet më gjigante ndërkombëtare si “Tomorrowland”, këtë herë ka nënshkruar një nga performancat më të veçanta të karrierës së tij. Ai u bashkua me bashkëatdhetarët e tij në vendin ku ndodhen rrënjët e familjes së tij, duke e kthyer sheshin e fshatit në një arenë të vërtetë festive.
Në aktivitetin e zhvilluar në shesh, të moshuarit nuk mbetën pas të rinjve dhe i shoqëruan me plot ritëm rrymat e muzikës elektronike. Pamjet plot ngjyra dhe sjellja tejet e thjeshtë e DJ-it, i cili zakonisht performon para dhjetëra mijëra njerëzve në skenat botërore, u vlerësuan lart për ngrohtësinë dhe sinqeritetin e treguar me banorët.
Në rrjetet sociale, komentet kryesore ishin ato që vlerësonin faktin se ai “nuk e harroi tokën e të parëve”. Shumë përdorues shprehën admirimin e tyre për faktin që, pavarësisht suksesit global, ai mbron dhe ruan lidhjen me gjeografinë ku u rrit. Ndërkohë, interesi ishte aq i madh sa në fshatin Kürse u mblodhën edhe shumë banorë nga lagjet dhe zonat rreth e rrotull, duke e kthyer këtë natë në një kujtim të paharrueshëm për të gjithë rajonin. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


