Personazhi i njohur i rrjeteve sociale dhe TikTok-ut, Aleks Visha, është përfshirë në një vorbull të madhe debatesh pas ndalimit të tij nga policia në Dubai. Vetë Visha, javën që lamë pas ndau me ndjekësit e tij një video nga momenti kur ndodhej brenda automjetit të policisë, duke konfirmuar kështu shoqërimin e tij. Shkak për këtë situatë është bërë një llogari “GoFundMe” e hapur për të ndihmuar një vajzë që po lufton me leukeminë akute, ku u mblodhën plot 450 mijë dollarë, por që u shoqërua me aludime të forta se sëmundja mund të ishte e trilluar.
Përmes një videoje të gjatë në profilin e tij në TikTok, Aleks Visha ka thyer heshtjen duke sqaruar pozicionin e tij në këtë histori. Ai ka hedhur poshtë akuzat se e ka hapur ai llogarinë për përfitime personale, duke sqaruar se thjesht ka dhënë kontributin e tij si personazh publik. “Atë GoFundMe unë e kam gjetur në vlerën e 180 mijë dollarëve. Kam bërë nder dhe kam përdorur besimin që publiku ka tek unë për të çuar vlerën në 450 mijë dollarë,” u shpreh ai, duke këmbëngulur se qëllimi i tij ka qenë ekskluzivisht humanitar.
I prekur nga akuzat se ka mashtruar ndjekësit, Visha ka sfiduar hapur të gjithë kritikët dhe faqet që e kanë etiketuar si “hajdut”. Ai ka kërkuar që çdo akuzë të bazohet në fakte dhe jo në dëshirën për të fituar audiencë në kurriz të tij. Gjatë videos, ai ka bërë edhe një betim mjaft të fortë: “Nëse keni fakte kundër meje, pa e pritur rezultatin e biopsisë, nxirrni ato. Zoti më vrastë nëse nuk hidhem nga ura e Stambollit nëse ju keni qoftë edhe një fakt të vetëm kundër meje!”
Sipas personazhit të rrjeteve sociale, e gjithë e vërteta e kësaj historie do të zbardhet shumë shpejt përmes dokumenteve zyrtare mjekësore. Ai u ka bërë thirrje ndjekësve dhe opinionit publik që të mos nxitohen me gjykime pa dalë rezultati përfundimtar. “Presim biopsinë e vajzës dhe pastaj flasim. Si nuk keni turp që akuzoni pa prova?” tha Visha, duke shtuar se ai do të jetë aty për t’u përgjigjur në çdo moment, si në të mirë ashtu edhe në të keqe.
Në mbyllje të reagimit të tij, Aleks Visha ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj shoqatave humanitare shqiptare dhe personave që e kanë sulmuar. Ai u bëri thirrje fondacioneve që të marrin përgjegjësi për njerëzit në nevojë, ndërsa premtoi hakmarrje publike përmes rrjeteve sociale për të gjithë ata që e baltosën.
Visha u shpreh i vendosur se nëse rezultatet mjekësore vërtetojnë sëmundjen e vajzës, ai nuk do t’i lërë “kurrë rehat” me video dhe transmetime live të gjithë ata që përhapën dyshime mbi kauzën. /Prive By Liberta Spahiu
@aleks_visha1124 #fyp ♬ original sound – Aleks_visha


