Pas lajmeve që shkaktoi deklarata e kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka, se kishte blerë një certifikatë të falsifikuar të vaksinimit kundër COVID-19, vëllai i tij, Taulant Xhaka, ka reaguar publikisht në mbështetje të tij.
Përmes një postimi në Instagram Story, Taulanti ka ndarë një mesazh të drejtpërdrejtë për publikun dhe gazetarët, duke theksuar se askush nuk është i pagabueshëm dhe se gabimet janë pjesë e jetës.
“Çdo njeri bën gabime. Askush nuk është pa gabime!
Por ju lutem, mos harroni kurrë një gjë: çfarë ka bërë Granit Xhaka, vëllai im, gjithë këto vite për Zvicrën. Sa shumë zemër, pasion dhe krenari ka treguar ai për këtë shtet dhe këtë fanellë.
Edhe për të gjithë gazetarët atje jashtë: Ju lutem, mos e harroni as ju këtë kurrë. Edhe ju keni bërë gabime në jetën tuaj – të gjithë kemi bërë. E rëndësishme nuk është të mos bësh kurrë gabime, por t’i pranosh ato, t’i kuptosh dhe të mësosh prej tyre.
Vëlla, jam krenar me ty. Kam qenë pas teje, jam pas teje dhe do të jem gjithmonë pas teje – çfarëdo që të ndodhë.
Familja mbetet familje. Si në kohë të mira, ashtu edhe në kohë të vështira.”
Me këtë reagim, Taulant Xhaka ka bërë të qartë se, pavarësisht kritikave dhe vëmendjes së madhe mediatike, mbështetja e tij për vëllain mbetet e palëkundur. /Prive By Liberta Spahiu



