Këngëtari i njohur Labinot Rexha është përfshirë në një rast që tashmë po hetohet nga autoritetet.
Sipas raportimit ekskluziv të Sinjalit, një video e siguruar nga Policia e Kosovës ka vënë në lëvizje hetuesit në Klinë, pasi në pamje shihet një person duke shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.
Videoja raportohet se është pranuar nga autoritetet më 5 gusht, ndërsa pas analizimit të pamjeve kanë nisur veprimet hetimore. Sipas të njëjtit burim, dyshohet se gjatë performancës muzikore këngëtari ka marrë një pistoletë dhe ka shtënë katër herë në ajër.
Sinjali raporton gjithashtu se hetuesit kanë kontaktuar me Rexhën, i cili ka bërë të ditur se do të paraqitet në Polici për intervistim. Ndërkohë, organizatori i dasmës ka deklaruar se arma nuk ishte pronë e këngëtarit, por e një mysafiri që jeton në Austri.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar procedurë për veprat penale që lidhen me mbajtjen apo posedimin e paautorizuar të armës dhe përdorimin e armës.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar, ndërsa pritet që autoritetet të vendosin për hapat e mëtejshëm pas intervistimit të personave të përfshirë.
Labinot Rexha, sikurse çdo person tjetër i përfshirë në procedurë, prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
/Prive By Liberta Spahiu



