Organizatorët e Tafani Events njoftuan zyrtarisht se koncerti i madh që pritej të mbahej në Itali është shtyrë. Vendimi është marrë pas zhvillimeve të fundit në Shqipëri, ku prej disa ditësh po vazhdojnë protesta masive të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.
Këto protesta, të cilat kanë nisur si kundërshtim ndaj një projekti të madh turistik në zonën e Zvërnecit dhe Nartës, janë kthyer në një lëvizje më të gjerë për mbrojtjen e mjedisit, habitateve natyrore dhe kundër vendimeve që konsiderohen të dëmshme për vendin. Simboli i flamingove është zgjedhur për të përfaqësuar zonën e lagunës së Nartës, e njohur për biodiversitetin e saj.
Në njoftimin e tyre, organizatorët shpjegojnë se pas diskutimeve me artistët dhe duke marrë parasysh situatën e brendshme në Shqipëri, si dhe protestat e vazhdueshme, nuk u konsiderua e përshtatshme të zhvillohej eventi në datën e planifikuar. Ata theksojnë se janë bërë investime të konsiderueshme, por solidariteti me situatën që po kalon vendi është vlerësuar si prioritet.
Në koncert pritej të merrnin pjesë artistë si Lyrical Son, MC Kresha, Ledri Vula, Elgit Doda, Aurela Gace, Xhensila Myrtezaj dhe të tjerë, me sound nga AG Band & DJ Antonio. Biletat e blera do të vlejnë për datën e re ose do të rimbursohen sipas procedurave të zakonshme.
Organizatorët premtojnë se do të njoftojnë sa më shpejt një datë të re për eventin, sapo të krijohen kushtet e duhura. /Prive By Liberta Spahiu


