Meriton Mjekiqi është rikthyer fuqishëm me emisionin e tij, duke zgjedhur platformën YouTube për të nisur këtë kapitull të ri me një emër që peshon rëndë në hip-hopin shqiptar. Legjenda 2po2 ishte i ftuari i parë special, duke sjellë një rrëfim ekskluziv që preku të shkuarën, planet e së ardhmes dhe natyrisht, ato detajet pikante që publiku mezi pret t’i dëgjojë.
Gjatë bisedës, një vëmendje të veçantë mori raporti i tij me Yll Limanin. Dyshja, të cilët vite më parë realizuan hitin e pavdekshëm “Dritat”, duket se nuk do të bëhen bashkë për albumin e ri të reperit. 2po2 nuk hezitoi të flasë hapur për këtë mungesë, duke treguar vlerësimin maksimal për artistin që dikur e kishte mbështetur që në hapat e parë.
“Po kena fol. Atëherë e kena bo ‘Dritat’ që u kanë kangë shumë e mirë. Më ka pëlqy Ylli si këngëtar, që prej kohës së The Voice. Tash Ylli e ka karrierën përpara, kqyr ma larg. S’është me rëndësi. Ylli është një artist shumë i mirë që e dojnë publiku. Talentin që e ka e ka shfaq më së miri,” u shpreh 2po2, duke konfirmuar respektin reciprok mes tyre.
Por, kur Meritoni, me stilin e tij direkt, e pyeti për arsyen konkrete të mungesës në album, reperi zbuloi se pengesa nuk ishte dëshira, por burokracitë kontraktuale. “Kena fol po nuk kena mujt me realizu për shkak të kontratave që i ka international,” sqaroi ai. Megjithatë, moderatori nuk u mjaftua me kaq, duke e ngacmuar mysafirin se këto mund të jenë thjesht “fore”.
Me qetësinë që e karakterizon, 2po2 e mbylli debatin duke lënë të kuptohet se nuk ka vend për dramë: “Munden me qenë fore, por për mu nuk është me rëndësi.” Një përgjigje diplomatike, por që lë vend për interpretim, ashtu siç i ka hije showbiz-it. / Prive By Liberta Spahiu


