Pauzat e detyrueshme për hidratim, të aplikuara gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës 2026, mund të mos vazhdojnë në garat e ardhshme të FIFA-s.
Arsène Wenger, drejtori i FIFA-s për zhvillimin global të futbollit, ka bërë të ditur se institucioni do ta analizojë efektin e këtyre ndërprerjeve, pasi ato nuk janë pritur mirë nga një pjesë e tifozëve.
Pauzat treminutëshe u zhvilluan në mes të secilës pjesë të lojës, në çdo ndeshje, pavarësisht temperaturës, qytetit ku luhej apo faktit nëse stadiumi ishte i mbuluar. Masa ishte vendosur për të mbrojtur futbollistët nga temperaturat e larta gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Megjithatë, ndërprerjet shkaktuan reagime të përziera. Përderisa disa futbollistë dhe trajnerë i konsideruan të dobishme për shëndetin dhe rikuperimin, kritikët vlerësuan se ato e prishnin ritmin e ndeshjeve, sidomos kur zhvilloheshin në kushte të freskëta.
I pyetur nëse kishte të dhëna që dëshmonin se pauzat kishin përmirësuar paraqitjen e lojtarëve, Wenger u përgjigj negativisht.
“Nuk më është dukur se ato kanë ndryshuar rezultatet e garës”, deklaroi ish-trajneri i Arsenalit, duke shtuar se FIFA duhet t’i marrë parasysh edhe mendimet e njerëzve që e ndjekin futbollin.
FIFA ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Pas analizimit të të dhënave dhe reagimeve nga turneu, do të vendoset nëse pauzat do të mbeten të detyrueshme apo do t’u lihet sërish gjyqtarëve të vendosin për to, varësisht nga temperaturat dhe kushtet e lojës. /Prive Bruto


